Aktualitet

A e nxiti Gjon Shkambi nipin që të kryente vrasjen? Avokati: Nuk kishte mundësi ta ndalonte, ishte duke dalë nga salla

Sipas avokatit, Gjon Shkambi nuk ka pasur asnjë mundësi që ta ndalonte nipin e tij për të qëlluar gjyqtarin dhe dy personat e tjerë që ishin palë në procesin gjyqësor

E.K
A e nxiti Gjon Shkambi nipin që të kryente vrasjen? Avokati: Nuk
gjon shkambi

TIRANË- Avokati Kujtim Ibra, mbrojtësi ligjor i Elvis dhe Gjon Shkambit, ka folur pasi Gjykata e Tiranës la në burg dy klientët e tij, për vrasjen e gjyqtarit të apelit Astrit Kalaja. Ibra tha se Elvis Shkambi ka vepruar në kushtet e tronditjes së fortë psikologjike, dhe xhaxhai i tij, Gjoni, nuk ka pasur rol në nxitjen e krimit. Sipas avokatit, Gjon Shkambi ka qenë duke dalë nga salla, në momentin që nipi i tij ka qëlluar ndaj gjyqtarit, dhe ndaj dy personave të tjerë që kanë qenë palë në proces.

“Shtetasi nën hetim ka qenë totalisht i mpirë pas kryesrjes së krimit dhe ai ka pritur me qetësi forcat e policisë, pasi në ato momente i është rikthyer vetëdija. Më pas, ai ka dorëzuar pistoletën tek njëri nga punonjësit e gjykatës dhe ka pritur që të vinin forcat e policisë, duke mos u larguar edhe pse ka pasur mundësinë ta bënte.

I ka pritur forcat e policisë me qetësi për shkak të ngjarjes, ku ai pretendon se ka qenë në gjendje të rënduar psiqike. Nuk ka prova që xhaxhai Gjon Shkëmi të jetë shtytës për kryerjen e krimit nga nipi i tij.

Gjon Shkëmbi nuk ka marrë pjesë në momentin e ndodhjes së ngjarjes. Ai ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni që nipi i tij do kryente një veprim të tillë dhe nuk ka pasur mundësi ta ndalonte në momentin e shkrepjes së armës, pasi askush nuk i del përpara një personi të armatosur, sidomos kur është në gjendje të rënduar emocionale.

Shtetasi Gjon Shkëmbi, në ato momente, ka dalë pothuajse nga salla. Pra, pasi shtetasi Gjon Shkëmbi kishte kaluar derën e sallës së seancës, shtetasi Elvis Shkëmbi ka qëlluar drejt të ndjerit”, u shpreh avokati. Ndërkohë që lidhur me deklaratat e mëparshmë që ka bërë dhe në media, Gjon Shkambi, ai tha se nëse veprime të tilla do të cilësoheshin si kanosje, atëherë autoritetet duhet të kishin vepruar.

“Nëse do të kishim veprime të tilla që përbëjnë kanosje, atëherë çështja penale do të ishte dashur të nisej në atë kohë. Veprimet dhe deklaratat që Gjon Shkëmbi ka dhënë në media janë interpretuar ndryshe, por nëse do të kishte elementë të tillë, atëherë Prokuroria e Tiranës apo ajo e Shkodrës duhej të kishte nisur procedim penal për kanosje ndaj shtetasve të ndryshëm”, vijoi deklaratën e tij avokati Ibra.

Gjykata e Tiranës dha sot masën e sigurisë "arrest me burg" për autorin dhe xhaxhain e tij, Elvis dhe Gjon Shkambi, në lidhje me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, në krye të detyrës tre ditë më parë. Mësohet se Elvis dhe Gjon Shkambi kërkuan falje publike familjes së gjyqtarit Kalaja, ndërsa dëshmuan se ngjarja ka ardhur si shkak i tronditjes së lartë psikike për shkak të kalvarit të gjatë të gjyqeve.

Gyqtari Astrit Kalaja u ekzekutua me armë zjarri në krye të detyrë, pasditen e 6 tetorit, teksa po jepte verdiktin në lidhje me çështjen e pronave në Shkodër ku ishin palë Elvis dhe Gjon Shkambi./ZËRI

Poll

MOS HUMB