
TIRANË- Gjykata e Strasburgut është shprehur sot në lidhje me çështjen Gërdeci, e cila ishte dorëzuar në këtë organ të lartë të drejtësisë europiane nga familjarët e viktimave të shpërthimit në fabrikën e demontimit të armëve. Në vendimin e Strasburgut që është publikuar gjatë ditës së sotme, thuhet se në procesin hetimor ndaj ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu ka pasur një zvarritje, ndërkohë që konsiderohet e drejtë përfshirja si palë në sallën e gjyqit e familjarëve të viktimave. Vendimi i Strasburgut pritet që t’i dërgohet Gjykatës së Posaçme ku është rihapur dosja e Gërdecit.
Në vendimin e Strasburgut thuhet se organet e drejtësisë në Shqipëri nuk kanë dhënë një përgjigje se pse hetimet për Gërdecin janë shtyrë për kaq shumë kohë. Ndërkohë që në lidhje me një dëmshpërblim financiar për familjarët e viktimave, Strasburgu vlerëson se ai që është dhënë nga shteti shqiptar është i drejtë, dhe se ata nuk mund të kërkojnë një të dytë sa kohë që nuk kanë ankimuar vendimin e parë.
Pjesë nga vendimi i Strasburgut:
Gjykata vuri në dukje se Prokuroria e Përgjithshme kishte nisur menjëherë një hetim pas shpërthimitqë kishte ndodhur në Gërdec. Tri ekspertiza kishin shërbyer si bazë për aktakuzën dhe ishin përdorur si provë në gjykimin kundër të akuzuarve. Gjykata arriti në përfundimin se hetimi kishte qenë i duhur pasi në përgjithësi kishte arritur të vërtetonte rrethanat dhe faktet relevante dhe kishte identifikuar përgjegjësit. Edhe pse askush nuk ishte dënuar përfundimisht për vrasje, dënimet e tyre kishin të bënin të gjitha me ngjarjen e Gërdecit, me akte të rrezikshme për jetën.
Në lidhje me procedurën penale, Gjykata mori parasysh se rasti nuk kishte të bënte me vrasje me dashje, por nga pakujdesia e rëndë. Ndërsa ishte e vërtetë që disa nga dënimet ishin ulur më pas, në raport me dënimet fillestare që ishin dhënë.
Për shkak se Gjykata e Lartë kishte ndarë padinë civile nga ajo penale, ankuesit (familjarët) nuk kishin pasur asnjë të drejtë procedurale.
Gjykata (Strasburgu) ka përcaktuar se shteti ka detyrime që viktimave t’iu jepet një mundësi për të marrë pjesë në mënyrë efektive në procedimin penal, duke përfshirë në fazën e gjykimit, për të mbrojtur interesat e tyre legjitime. Kjo nuk mund të kompensohet nga mundësia e kërkuesve për të paraqitur një kërkesë civile në një procedurë të veçantë civile, pasi ato procedura nuk do të shqyrtonin përgjegjësinë penale të të akuzuarit.
Më tej, procedura penale kundër F.M. për shpërdorim detyre, është zvarritur dhe vonuar në mënyrë të konsiderueshme, si pasojë e inercisë së organeve të ndjekjes penale, të cilët kanë bërë përpjekje të kota për ta sjellë atë përpara drejtësisë. Kështu, kërkuesit kanë mbetur pa një vendim përfundimtar në lidhje me përgjegjësinë e tij më shumë se 14 vjet pas shpërthimit. Autoritetet kombëtare të akuzës nuk dhanë shpjegime bindëse për dështimin e tyre për të rifilluar hetimin menjëherë pas rizgjedhjes së F.M. si deputet, duke ngritur kështu pikëpyetje serioze në lidhje me vullnetin dhe zellin e tyre për të ndjekur çështjen dhe duke krijuar një potencial për mosndëshkim.
Duke pasur parasysh provat e mbledhura kundër F.M., kërkuesit si dhe publiku i gjerë kishin të drejtë të dinin jo vetëm rrethanat në të cilat humbën jetën personat dhe u lënduan të plagosurit, por edhe rolin e saktë që ish-ministri i Mbrojtjes kishte luajtur në ngjarjen në fjalë. Gjykata arriti në përfundimin se për rrjedhojë kishte pasur shkelje të aspektit procedural të nenit 2 të Konventës.
Për sa i përket ankesës së familjarëve të viktimave se autoritetet shtetërore nuk kishin marrë masat e duhura operacionale dhe të sigurisë, Gjykata shprehet se dëmshpërbimi që ata kanë marrë financiarisht nga shteti, tregon njohjen e dëmit që iu është shkaktuar.
Në dhënien e dëmshpërblimit, Gjykata Administrative konstatoi se autoritetet shtetërore nuk kishin marrë masat e duhura parandaluese për të garantuar respektimin e standardeve minimale të sigurisë në objektin e Gërdecit. Gj.Administrative arriti në përfundimin se aktivitetet e rrezikshme në objekt kishin rezultuar në vdekjen e djalit të dy prej aplikantëve dhe lëndime të të tjerëve. Sipas mendimit të Gjykatës, këto gjetje përbënin një njohje në thelb të përgjegjësisë së shtetit për vdekjen e djalit të Zamira Durdajt dhe Feruzan Durdajt dhe rrezikun për jetën e Sabrije Picarit.
Gjykata konstatoi se, duke mos paraqitur ankesë, këta kërkues kishin pranuar në heshtje se ishin të kënaqur me shumat e dhëna dhe për këtë arsye kishin hequr dorë nga përdorimi i mëtejshëm i mjeteve juridike kombëtare. Për më tepër, dëmi material dhe jopasuror i dhënë nuk kishte qenë më i ulët se ai që Gjykata ka dhënë sipas nenit 41 të Konventës në raste të krahasueshme. Si pasojë, ata nuk mund të pretendonin më se ishin viktima të shkeljes së pretenduar sipas këtij aspekti të nenit 2 të Konventës.
VENDIMI:
/ZËRI.AI