
TIRANË- Një protestë do të mbahet pasditen e sotme pranë kopshtit “Stinët” në Tiranë, ku ndodhi rasti i rëndë i dhunimit të një vajze 3 vjeçare, e cila përfundoi në spitalin e Traumës me këmbën e thyer. Thirrja për protestë është bërë nga aktorja Eliona Pitarka në rrjetet sociale, dhe më pas ka marrë një mbështetje të gjerë nga dhjetëra profile të tjera. Protesta do të mbahet përpara kopshtit në orën 16:00, në rrugën Kushtrimi i Lirisë, ku do të kërkohet mbyllja e kopshtit.
Pavarësisht ngjarjes së rëndë që ndodhi në këtë institucion, aktiviteti deri në mëngjesin e sotëm, ishte duke vijuar normalisht.
Dhunimi i të miturës, referuar dhe pamjeve filmike është kryer rreth orës 10 të paradites në datën 1 Nëntor, ndërkohë që prindërit janë njoftuar vetëm në orën 15:00 pasi këmba e vajzës kishte pësuar shumë enjtje./Zëri.ai