
KAVAJË- Një 48-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Kavajës, pasi dyshohet se ka abuzuar seksualisht për 4 vite me radhë me vajzën e tij të mitur. Në njoftimin e policisë thuhet se, e mitura, tashmë 15 vjeç, dyshohet të jetë abuzuar seksualisht në mënyrë të përsëritur nga babai i saj, që prej moshës 11-vjeçare. B. R., 48 vjeç, banues në Golem, akuzohet për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”.
Mësohet se e mitura ka folur për abuzimin nga babai i saj gjatë një seance me psikologen e shkollës, e cila e ka pikasur se prej kohësh ka qenë e shqetësuar.
Vetë 48-vjeçari, e ka mohuar abuzimin me të bijën, ndërsa dhe familjarët e tjerë shprehen se nuk kanë pasur dijeni për aktin e rëndë.
NJOFTIMI I POLICISË:
Dyshohet se kreu marrëdhënie seksuale me vajzën e tij të mitur, në mënyrë të përsëritur, kapet dhe vihet në pranga 48-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, pas kallëzimit nga një shtetase 15 vjeçe, se babai i saj kishte kryer marrëdhënie seksuale me të, gjatë 4 viteve të fundit, menjëherë kanë organizuar punën për verifikimin e këtij kallëzimi dhe arrestimin e autorit.
Si rezultat i veprimeve të para hetimore, u vu në pranga shtetasi B. R., 48 vjeç, banues në Golem, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”.
Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.