RROGOZHINË- Një aksident i rëndë ka ndodhur në autostradën Rrogozhinë-Lushnjë, në afërsi të fshatit Golem këtë të premte, ku është përfshirë biznesmeni Kristian Boçi dhe dy fëmijët e tij të mitur.
Automjeti tip Mercedez me targa AA 334 RP ka humbur kontrollin pasi ka kaluar barrierat e hekurta duke përfunduar në kanalin anësor të autostradës.
Pas aksidentit, Boçi dhe dy fëmijët e tij janë transportuar me urgjencë në spitalin e Lushnjës dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Mësohet se Boçi ka fraktura në kokë, ndërkohë që fëmijët e tij janë në gjendje më të mirë.
Policia dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Paraprakisht dyshohet se shkak për aksidentin është bërë lagështira në rrugë dhe shpejtësia më të cilën po udhëtonte biznesmeni.
Pak muaj më parë, Prokuroria e Tiranës sekuestroi pasuritë e Boçit, me pretendimin se ato kishin si burim aktivitetin kriminal. Por më vonë Gjykata e Apelit pranoi kërkesën e tij, për heqjen e sekuestrove ndaj pasurive./ZËRI





