Aktualitet

AMP ‘kopsit’ formularin, policët do të deklarojnë nëse kanë pasur akses në Sky Ecc

E.K
AMP ‘kopsit’ formularin, policët do të deklarojnë
Drejtori i ri i AMP-se Florian Sulejmani dhe Taulant Balla

TIRANË- Agjensia e Mbikqyrjes Policore është në përfundim të një formulari, ku të gjithë punonjësit e policisë që kanë përdorur aplikacionet e koduara, do të duhet që të bëjnë vetëdeklarimin. Burime bëjnë me dije për ZËRI se AMP është në përmbyllje të këtij formulari, që do të jetë i detyrueshëm më pas që të nënshkruhet nga të gjithë punonjësit e policisë.

Nisma për deklarimin e policëve, u njoftua pak javë më parë nga ministri i brendshëm Taulant Balla, dhe tashmë pas emërimit dhe të drejtuesit të ri të AMP, projekti është drejt finalizimit. Pas zbërthimit të mesazheve të koduara në aplikacionet SKY, u arrestuan disa drejtues të lartë policie, të cilët bashkëpunonin me krimin e organizuar.

Në mesin e policëve që janë vënë në pranga në kuadër të përgjimeve që u bënë publike në dosjen Metamorfoza 1 dhe 2 janë Dedan Gjoni, Oltion Bistri apo Dritan Metaj.

Ndërkohë që në përgjime përmendej dhe emri i Ardi Veliut, i cili dha dorëheqjen nga kreu i AMP-së, me pretendimin se do të merrte një tjetër detyrë shtetërore, e cila nuk është bërë publike deri tani.

Ministri Taulant Balla ka deklaruar se policët që do të rezultojnë se kanë pasur akses në rrjetet e koduara do të përjashtohen.

“Ka pasur dhe ka punonjës që janë përfshirë në botën e krimit. I kam kërkuar Policisë dhe AMP, duke qenë se jemi edhe vetë në kontakt me Europol, që të kemi informacion sa më shpejt të jetë e mundur, për çdo punonjës që do rezultojë që të ketë pasur akses në këto rrjete komunikimi EncroChat apo Sky. Kushdo që ka pasur akses do përjashtohet nga policia edhe në rast se në ato komunikime nuk rezulton të ketë aktivitet kriminal”, tha Balla, pak javë më parë.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB