Aktualitet

"Armiku" i Arben Ndokës, arrestohet në Malpensa "Leksi i druve"

47-vjeçari nga Lezha është vendosur në pranga 3 ditë më parë në aeroportin e Malpensas në Itali në kuadër të operacionit "Metamorfoza".

k.m.
"Armiku" i Arben Ndokës, arrestohet në Malpensa "Leksi
Aleks Ndreka

TIRANË- Arrestohet në Itali Aleks Ndreka (Aleksandër Deda), i njohur edhe me nofkën "Leksi i druve". Mësohet se 47-vjeçari nga Lezha është vendosur në pranga 3 ditë më parë në aeroportin e Malpensas në Itali në kuadër të operacionit "Metamorfoza". Ai akuzohet për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, për sigurim kushtesh për të kryer vrasje. Për këto vepra penale, GJKKO ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë "arrest me burg" në mungesë.

"Kapet në Milano dhe arrestohet provizorisht, për t’u ekstraduar në Shqipëri, një 47-vjeçar i akuzuar në kuadër të megaoperacionit “Metamorfoza”, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, për sigurim kushtesh/mjetesh për të kryer vrasje. Si rezultat i informacionit të siguruar për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe shkëmbimit të këtij informacioni ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, nga Policia italiane u mundësua lokalizimi dhe kapja në Milano, Itali, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, e shtetasit A. N., 47 vjeç. 47-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të megaoperacionit “Metamorfoza”, pasi GjKKO, më datë 23.07.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Vijon bashkëpunimi me homologët në Itali, për të finalizuar ekstradimin e shtetasit A. N., në Shqipëri,"-bën me dije Policia.

Kush është "Leksi i druve"?

Aleksandër Deda, 47 vjeç, është një personazh i njohur në Lezhë, ku njihet si biznesmen. Deri para vitit 2020, emri i tij nuk ishte dëgjuar kurrë pasi nuk kishte pasur probleme me Policinë e Shtetit. Por kjo vetëm deri në dhjetor të atij viti, pasi ndaj tij u organizua një atentat që nuk do të ishte i pari për të. Disa të tjerë pasuan, madje një tentativë për vrasjen e tij u planifikua edhe me dron.

Me "çmontimin" e dosjes "Revanshi", u zbulua edhe arsyeja se përse ndaj tij ishin organizuar disa prita për ta ekzekutuar. Arsyeja ishte se ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ndoka, dyshonte se "Leksi" kishte gisht në vrasjen e vëllait të tij, Aleksandrit. Për Ndokën, Ndreka dhe një biznesmen tjetër nga Lezha, tashmë i vrarë, Ardian Nikulaj kishin 'pajtuar' Durim Bamin për t'i ekzekutuar të vëllanë. Ndaj në dosje, zbulohen planet që Ndoka bënte për të hequr qafe "të fortin e Niklës", por edhe Ndrekën. 

Fillimisht në vitin 2020 në superstradën Lezhë-Laç, ai u plagos në gjoks me armë zjarri, më pas në mars të vitit 2022 u tentua sërish vrasja e tij, por shpëtoi nga një xhup i fryrë dhe me pupla, ndërsa më pas eliminimi i tij u tentua edhe me dron. Mirëpo në asnjë rast, planet e thurura kundër tij patën sukses./ZËRI

Poll

MOS HUMB