
TIRANË- Arian Tuku, i cili u vendos këtë të premte në prangat e policisë italiane, pasi rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të megaoperacionit të ditës së sotme të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), është një personazh i njohur për botën e krimit. Tuku sipas SPAK, ka tentuar të vrasë Aleks Ndrekën, i njohur si “Leksi i druve”, ndërsa ka siguruar kushtet dhe për vrasjen e të “fortit” të Nikles, Durim Bami. Po ashtu, Arian Tuku, me origjinë nga Lezha, në 2020 ka trafikuar në Mal të Zi 168 kg kanabis sativa të cilat janë sekuestruar nga autoritetet malazeze.
Aleks Nderka i ka shpëtuar disa atentatve ndaj tij. Në vitin 2020 ai u plagos në superstradën Lezhë-Laç. Ai arriti tu shpëtonte dhe të shkonte vetë në Spitalin Rajonal të Lezhës. Autorët u larguan më pas. Atentati më i frikshëm ndaj tij, ishte ai me dron. Ndreka njihet dhe si kundërshtar me fisin Ndoka, konkretisht me ish-deputetin socialist Arben Ndoka. Dhe ky i fundit tashmë është shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza 3”.
‘Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rezulton se shtetasi Arian TUKU, djali i Zef dhe Veranikës, i datëlindjes 02.02.1988 në Lezhë, më datë 01.12.2020 ka tentuar të vrasë shtetasin Aleks NDRKA. Gjithashtu ky shtetas ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e shtetasit Durim BAMI. Më datë 03.11.2020, ai ka trafikuar në Mal të Zi 168 kg kanabis sativa të cilat janë sekuestruar nga autoritetet malazeze. Veprat e mësipërme janë kryer prej tij në një formë të veçantë bashkëpunimi, atë të një grupi të strukturuar kriminal.’-njofton SPAK.
Çfarë ndodhi sot?
43 urdhër-arreste janë lëshuar në total nga prokurori i SPAK, Alfred Shehu dhe vetë kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani pas zbërthimit të aplikacionit Sky Eç. Njëmbëdhjetë prej tyre janë ekzekutuar, ndërkohë që ZËRI ka mësuar emrin e një prej tyre. Bëhet fjalë për biznesmenin Mir Brruli, i afërm i Pëllumb Gjokës, i arrestuar në kuadër të operacionit “Metamorfoza”. ZËRI ka zbardhur dhe disa prej emrave për të cilët është lëshuar urdhërarresti. Bëhet fjalë për dy vëllezërit Duka, Leonard dhe Erlis Duka, Astrit dhe Altin Avdylaj, Durim e Valter Bami, Endrit Dokle, Plarent Dervishaj, Fatmir Hyseni, Elvis Ndreca, djali i xhaxhait të deputetit të PS, Eduard Ndreca, Fatmir Hyseni alias Doqja, Armando Ndreca, vëllai i deputetit të PS, Eduard Ndreca, Lulzim Berisha, si dhe Elvis Doçi, i njohur me nofkën ‘Visi i Pojës’.
Ndërkohë tre personave të tjerë që ndodhen aktualisht pas hekurave u është komunikuar masa e arrestit me burg. Bëhet fjalë për Xhevi Ndokën, vëllain e ish-deputetit Arben Ndoka dhe Albert Zajën, i dënuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit.
Kontrolle janë ushtruar në disa qytete, në Tiranë, ku policia është përqëndruar në banesën e vëllezërve Duka, që njihen dhe si rivalë të Ervis Martinajt. Kontrolle janë ushtruar dhe në banesën e vetë Martinajt në Fushë Kuqe, në pronat e bizneset e Elvis Doçit, si dhe në banesat e vëllezërve Bami.
Ky operacion dyshohet se është realizuar pasi është hedhur dritë mbi vrasjen e Bardhok Pllanajt, Brilant Martinajt, Erigers Mihasit, Armando Dumanit dhe Can Karriqit. Gjithashtu, dyshohet se janë zbardhur detaje lidhur me zhdukjen e personave të botës së krimit, ndër të cilët përmendim Ervis Martinajn dhe i riu i dyshuar si i lidhur me të, Ulvi Skana./ZËRI