TIRANË- Në lidhje me arrestimin e Ergys Agasit ka reaguar në rrjetet sociale edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Në një reagim të publikuar në Facebook, Berisha e cilrson arrestimin e Agasit si një zhvillim që duhet përshëndetur, por ngre një sërë pikëpyetjesh mbi mënyrën se si u realizua ndalimi i tij.
“Arrestimi i Ergys Agasit afër vilës së tij, në shoqërinë e Uljan Shpatarakut”, shkruan Berisha, ndërsa pyet nëse bëhet fjalë për një arrestim të mirëfilltë apo për një “dorëzim me kushte”.
Berisha argumenton se Agasi, pavarësisht se ishte shpallur ne kërkim, sipas tij ka vijuar të qëndrojë pranë banesës së tij. “Ai çdo natë ka fjetur kryesisht aty në shtëpinë e tij”, shkruan kreu i PD-së, duke ngritur pikëpyetje mbi faktin se si nuk ishte lokalizuar më herët.
Në vijim të reagimit, Berisha e lidh çështjen edhe me hetimet që lidhen me AKSHI-n dhe ngre pyetje mbi persona të tjerë që, sipas tij, mund të preken nga hetimi.
Ai e akuzon Agasin se ka pasur rol të rëndësishëm në funksionimin e strukturave shtetrrore dhe e cilëson atë si “koordinator të plotfuqishëm të Edi Ramës”, ndërsa pretendon se procesi gjyqësor ndaj tij duhet të monitorohet ndërkombëtarisht.
“Procesi i tij gjyqësor kërkon nevojë urgjente për monitorim ndërkombëtar”, përfundon Berisha në reagimin e tij.
Reagimi i plote:
Arrestohet Ergys Agasi, koordinatori i Padrinos me krimin
Të nderuar miq,
Arrestimi i Ergys Agasit afër vilës së tij, në shoqërinë e ushtarit famëkeq të karteleve Uljan Shpataraku, ndonëse është një akt për t'u përshëndetur, ngre një sërë pikëpyetjesh:
Së pari, a ishte ky një arrestim i vërtetë apo një dorëzim me kushte? Kjo pyetje lind sepse ai çdo natë ka fjetur kryesisht aty në shtëpinë e tij (dhe sipas rastit në Manzë), e përsëri askush nuk kujtohej se ai ishte në kërkim.
Së dyti, a është ky një akt i Lubisë për të futur në qerthull jo vetëm Ramën (të cilin e ka), por edhe Lindën, patronazhisten e AKSHI-t (cherchez la femme e frengut)?
Ergys Agasi, si koordinator i plotfuqishëm i Edi Ramës, Padrinos së Shqipërisë me organizatat kriminale dhe kartelet shqiptare të drogës, si dhe me kontrollin e tij mbi ministritë, AKSHI-n, SHISH-in dhe policinë, është padyshim një nga mafiozët më të rrezikshëm jo vetëm në Shqipëri e rajon, por edhe më gjerë. Procesi i tij gjyqësor kërkon nevojë urgjente për monitorim ndërkombëtar.

/ZËRI