TIRANË- Policia e Shtetit ka dhënë detaje të reja për arrestimin e Ergys Agasit, i shpallur në kërkim nga SPAK, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”.
Sipas njoftimit zyrtar, Agasi është lokalizuar dhe kapur në Durrës gjatë ndërhyrjes së strukturave të Policisë së Shtetit. Në momentin e arrestimit, 42-vjeçari ndodhej në të njëjtin automjet me Uljan Shpatarakun, ish-punonjës i Policisë së Shtetit, i cili është arrestuar gjithashtu.
Operacioni është zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës dhe strukturat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme.
Pas ndalimit, të dy personat janë shoqëruar për procedurat e mëtejshme, ndërsa autoritetet vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive.
NJOFTIM:
Policia e Shtetit
Finalizohet operacioni policor i koduar “The Wanted”
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës dhe strukturat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), finalizuan operacionin e koduar “The Wanted”.
Si rezultat i operacionit, në Durrës u kap shtetasi E. A., i shpallur në kërkim nga SPAK-u.
Në kuadër të operacionit, u kap dhe u arrestua edhe shtetasi U. Sh., i cili udhëtonte në të njëjtin automjet me personin e kërkuar E. A./ZËRI