TIRANË- Pas arrestimit në zonën e Plepave në Durrës, Ergys Agasi dhe ish-punonjësi i Policisë së Shtetit, Uliam Shpataraku, janë transportuar mbrëmjen e kësaj të mërkure drejt Tiranës.
Dy të arrestuarit janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, ku po kryhen veprimet e para procedurale pas ndalimit të tyre.
Agasi ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të hetimeve për çështjen e tenderëve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Ndërkohë, Shpataraku, i cili ndodhej në të njëjtin automjet me Agasin në momentin e arrestimit, dyshohet se ka ndihmuar personin e kërkuar gjatë kohës që ky i fundit ishte në kërkim.
Operacioni është zhvilluar nga strukturat e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me SPAK dhe vijon ende. Pritet që autoritetet të japin më shumë detaje lidhur me aksionin, si dhe me akuzat konkrete që rëndojnë ndaj dy të arrestuarve./ZËRI