
TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, gjatë një deklarate për mediat tha se po arrihet marrëveshja për ekstradimin e Fabio Ballabanit. Rrumbullaku tha se momentalisht ai është duke kryer burgimin në Gjermani. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk dha detaje se kur do të ndodhë ekstradimi i tij.
“Mund t’ju konfirmoj edhe vendimin për Fabio Ballabanin, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Aktualisht vuan dënimin në një vend partner”, tha Rrumbullaku.
Fabio Ballabani rezulton të jetë anëtar i bandës së Emiljano Shullazit. Ai u shpall në kërkim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ngjarjen e ndodhur në vitin 2019, ku bashkëshorti i gjyqtares Saida Dollanit, Kristaq Prifti, u kërcënua dhe dhunua brutalisht. Me urdhër të Emiljano Shullazit, Fabio Ballabani alias Fabio Zyberaj dhe Ivi Zyberaj, kërcënoi dhe rrahu Priftin. /ZËRI