
TIRANE- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku mohoi versionin e dalë tashmë në media se vrasja e Egli Progës kishte si motiv 'gjobëvënien'. Në një konferencë për mediat, Rrumbullaku mbrojti vartësit e tij dhe deklaroi se Policia nuk ka bërë asnjë shkelje dhe se nuk e ka fshehur ngjarjen.
‘S’ka lidhje me gjobëvënien është konflikt i çastit.’- tha Rrumbullaku.
Nga ana tjetër ai tha se Policia është duke marrë masa për dezinformimin që është bërë në lidhje me raportimin e hetimit të ngjarjes, ku u distancua nga ndryshimi i akuzës dhe tha se Policia e ka referuar ngjarjen si "vrasje me dashje", duke ia kaluar kështu topin Prokurorisë. Rrumbullaku sqaroi se ngjarja është referuar si vrasje me dashje, ndërkohë që akuza e ngritur ishte vrasje nga pakujdesia.
"Është shkuar në vend ngjarje, janë sekuestruar kamerat e ambienteve përreth, janë shoqëruar disa persona, janë kryer veprimet e hetimeve. Si rezultat i veprimeve profesionale të kryera nga grupi hetimor, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes. Është identifikuar autori dhe arrestuar tre të tjerë për moskallëzim krimi. Drejtoria e Policisë Korçë ka dhënë njoftimin e parë zyrtarë, që për arsye të ndryshme u deformua dhe u mohua.
Baltosja në këtë rast është jo thjeshtë e pabazuar por është e dënuar moralisht dhe ligjshmërisht. Dua tu bëj me dije se do të ndërmerren hapa ligjore për të bërë deri ën fund transparencë mbi shkaqet e këtij dezinformomi. Ngjarjet janë të qarta si drita e diellit. Ne e kemi referuar si vrasje me dashje."-shtoi ai.
Egli Proga ndërroi jetë të shtunën, si fillim ngjarja u raportua si aksident, ku u tha se viktima humbi jetën pasi u rrëzua në rrugë, por pas pretendimit të familjarëve se ishte dhunuar, rezultoi se ai vdiq si pasojë e plagëve të marra nga dhunimi që iu bë nga Meçe, teksa u la për 30 minuta i shtrirë në rrugë./ZËRI