
TIRANË- Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve ka arrestuar këtë të martë shefin e Policisë së burgut të Drenovës Mariglen Kadiun. Dyshohet se arrestimi të ketë lidhje me vrasjen e Arben Lleshit në burgun e sigurisë së lartë në Peqin. Ai akuzohet për futje të sendeve të paligjshme në burg dhe shpërdorim detyre gjatë kohës kur ka mbajtur postin e drejtorit të burgut të Peqinit. Kadiu ka ushtruar të njëjtin funksion në burgun e Peqinit prej vitesh. Por 8 muaj më parë u emërua në burgun e Drenovës. Raportohet se ai është lënë në arrest shtëpie nga gjykata. Ende nuk ka reagim zyrtar nga Policia.
Çfarë ndodhi në Peqin
Mesditën e 15 dhjetorit, Sokol Mjacaj ekzekutoi Arben Lleshin brenda qelisë së tij. Pas ngjarjes ai ka tentuar të marrë peng disa familjarë të të burgosurve të tjerë në dhomën e takimeve dhe disa gardianë, por më pas është mbyllur në qelinë e tij. Ishin negociatat me drejtorin e Burgut të Peqinit ato që e bindën të vetëdorëzohet, pasi u garantua se nuk do të vritej.Deri më tani dyshohet se shkak për vrasjen e Arben Lleshit është bërë gjakmarrja dhe se urdhri mund të ketë ardhur nga familja Hoxha, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar pasi hetimet vijojnë. Vrasësi Sokol Mjaçaj, vuante dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çek në vitin 2015. Vrasja e Arben Lleshit solli një valë arrestimesh në burgun e Peqinit, mes të cilëve dhe drejtorin./ZËRI