Aktualitet

Behar Bajri mbërrin me avion charter në Shqipëri, akuzohet për vrasjen e Boriçit për llogari të Martinajt

Behar Bajri akuzohet si organizator i vrasjes së Gjin Boriçit për llogari të Ervis Martinaj, sigurimin e personave për vrasjen e mbetur në tentativë të Kleanthi Musabelliut, dhe porositës i vrasjeve që nuk u kryen të Dorian Dulit, Genc Tafilit dhe Ibrahim Licit

E.K
Behar Bajri mbërrin me avion charter në Shqipëri, akuzohet
Ekstradohet Behar Bajri

TIRANË- Ka mbërritur në Shqipëri i shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare Behar Bajri. Ai është ekstraduar këtë të enjte nga Franca, dhe tashmë do të përballet me akuzat e rënda që rëndojnë ndaj tij, në kuadër të dosjes Metamorfoza. Zëri.ai ka siguruar dhe pamjet e mbërritjes së tij në aerportin e Rinasit, ku është pritur nga disa makina policie, nën masa të rrepta sigurie.

Ai ishte planifikuar të sillej në Shqipëri me një avion me pasagjer civilë, por transportimi i tij ka ndodhur me një avion charter.

NJOFTIMI I POLICISË: 

Ekstradohet nga Franca drejt Shqipërisë, një i shumëkërkuar për një sërë veprash të rënda penale. 43-vjeçari i ekstraduar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të operacionit policor të koduar “Metamorfoza”. 

Si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm mes Interpol Tiranës dhe Interpol Parisit, për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar dhe ekstradimin e tyre në vendet ku ata duhet të kryejnë dënimin, u ekstradua në Shqipëri, shtetasi shqiptar: B. B. (B. R. alias B. B.), 43 vjeç, banues në Shkodër.     

Ky shtetas u kap dhe u arrestua në Francë, në muajin shtator, falë shkëmbimit mes policisë shqiptare dhe asaj franceze, të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e tij.       

43-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, në kuadër të operacionit policor të koduar “Metamorfoza”, i zhvilluar në muajin gusht, nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.     

Për këtë shtetas, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” dhe “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë, kryer në bashkëpunim”. 

Shtetasi B. B. dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka vrarë shtetasin Gj. B.(N.), më datë 09.08.2020, në Shkodër. Gjithashtu dyshohet se ka organizuar dhe koordinuar bashkëpunëtorët e tij, iu ka dhënë informacione mbi vendndodhjen e kundërshtarëve, për të organizon prita, me qëllim vrasjen e tyre.  

Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se shtetasi B. B., kundrejt ofrimit të shumave monetare funksionarëve të drejtësisë, ka bërë të mundur lirimin nga burgu, para kohe. Shtetasi i ekstraduar iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Aktualisht, ndaj Bajrit është caktuar masa e sigurisë "arrest me burg" nga GJKKO për 5 vepra penale, mes së cilave dhe vrasja e pjesëmarrja në grup kriminal. Behar Bajri u arrestua në muajin shtator në një lokal të Strasburgut, pasi ishte shpallur në kërkim për llogari të dosjes “Metamorfoza”. SPAK i ka dërguar Ministrisë së Drejtësisë të gjitha aktet e dosjes, ku përfshihen prova ndaj Bajrit dhe veprat për të cilat akuzohet.

Bajri, duke qenë në Francë, ka kërkuar azil në këtë shtet. Franca dhe Belgjika i kanë vendosur në dispozicion SPAK-ut, prova të bisedave të Bajrit dhe personave të tjerë në hetim, që zhvillonin në aplikacionin SkyEcc. Në këto biseda flitet për vrasjen e Gjin Boriçit në Vaun e Dejës dhe tentativave për vrasje të Kleanth Musabelliut, Dorian Dulit, Genc Tafilit apo Ibrahim Licit. Në komunikime del dhe emri i biznesmenit Pëllumb Gjoka, që u arrestua po në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.

Behar Bajri në dosjen “Metamorfoza” akuzohet si organizator i vrasjes së Gjin Boriçit për llogari të të zhdukurit Ervis Martinaj, sigurimin e personave për vrasjen e mbetur në tentativë të Kleanthi Musabelliut, për llogari të biznesmenit Pëllumb Gjoka dhe porositës i vrasjeve që nuk u kryen asnjëherë të Dorian Dulit, Genc Tafilit dhe Ibrahim Licit.

Të gjitha këto ngjarje, Behar Bajri i organizoi e planifikoi pas daljes nga burgu me masë të lehtësuar arresti, të firmosur nga prokurori Xhevahir Lita, i arrestuar pasi dyshohet se përfitoi 30 mijë euro për këtë nder.

Skeda kriminale e Behar Bajrit është e pasur. Ai dyshohet se më 2002 ka vrarë bashkëshorten Fabiola Bajri vetëm 16 vjeçe. Mbi të rëndojnë dhe vepra penale të tjera të rënda penale, si vrasja, vjedhja me armë dhe grabitja, të kryera kryesisht në qytetin e Shkodrës. /Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB