
KOSOVË- Ardit Kraja, 49-vjeçar i njohur në Shqipëri si ‘bossi’ i lojërave të fatit, ish-pronari i “superbast” është ndaluar të martën nga Policia e Kosovës, në njërën nga pikat kufitare. Ardit Kraja, partneri i moderatores së njohur të sportit, Ilda Bejlerit u ndalua në Vërmicë dhe pas verifikimit rezultoi se ndaj tij kishte dy "urdhërarreste" nga dy Gjykata në Kosovë. "Urdhër-arrestet" ndaj Krajës janë lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren dhe ajo në Mitrovicë pasi akuzohet se ka kryer veprën penale “organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm". Të njëjtat burime, kanë bërë me dije se pas ndalimit, gjyqtari ka urdhëruar që biznesmeni shkodran fillimisht të intervistohet nga Prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, i cili ka urdhëruar që Kraja të ndalohet për 48 orë.
Si u pasuruan “punëtorët” e Ardit Krajës në Kosovë?
Policia e Kosovës kishte marrë një informacion se një grup njerëzish për javë të tëra po takoheshin bashkë në një zyrë në Prishtinë. Në fillim, hetuesit nuk e kishin të qartë se përsa takohej grupi, ndaj edhe nisi një hetim paraprak. Mëngjesin e 24 marsit të vitit 2021, ata morën lejen që të hynin në këtë pronë. Aty zbuluan se qëllimi i takimeve të tyre ishte koordinimi i bixhozit ilegal që kishte filluar të lulëzonte, edhe pse në Republikën e Kosovës çdo formë bixhozi ishte e ndaluar.
Atë ditë, menjëherë pas kontrolleve, në pranga përfunduan: Skerdi Fero, Sokol Stafaj, Alban Peti, Lulzim Paqarada, Fidan Hoxha, Gasper Kaçinari, Jozef Gjini, Fisnik Sadrija, Flakron Kurteshi e Rrezarta Miftaraj. Nga dosja e Prokurorisë u zbulua se grupi në më pak se tre muaj; pra nga janari deri në gjysmën e muajit mars të vitit 2021 kishin qarkulluar shumën prej: 5,668,584.08 €! Vetëm fitimi i organizatorëve ishte 947,724.65 €.
Edhe pse punonin bashkë, detyrat i kishin të ndara qartë. Disa kishin nën kontroll disa Komuna në Kosovë, e disa të tjerë operonin në Shqipëri. Koordinatori i të dy grupeve ishte Sokol Stafa; drejtor ishte Gasper Kaçinari, ndërsa të gjitha paratë i arkëtonte Rrezarta Miftaraj. I arrestuari tjetër, Skerdi Fero ishte menaxher kryesor, ndërsa të pandehurit Alban Peti, Lulzim Paqarada, Fidan Hoxha, Fisnik Sadija, Jozef Gjini, Flakron Kurteshi, Dardan Arifi, Boban Stevanoviç e Taulant Palushi kishin rolet e menaxherëve "regjionalë". Pra secili kontrollonte territorin e tij. Të gjithë të akuzuarit kanë punuar për pikat e basteve të biznesmenit nga Shqipëria, Ardit Kraja, dhe pas muajit prill 2019 kur në Kosovë u ndalua. Por për ta, puna vazhdonte.
Ardit Kraja jo vetëm u jepte mundësinë që të ngrinin "kazino", por edhe investonte në bizneset e tyre. Madje edhe merrte përgjegjësi nëse një lojtar fitonte, por nëse e kundërta ndodhte; pra një lojtar humbiste, 60% të fitimit do ta merrte Kraja. 49-vjeçari nga Shkodra kishte eksperiencë edhe në Shqipëri me të njëjtën fushë, madje ka pasur përplasje edhe me tashmë të zhdukurin Ervis Martinaj, pikërisht për lojrat e fatit, që gjithashtu ishin të ndaluara me ligj në Shqipëri. Por po ashtu, emri i tij përmendet edhe në dosje të tjera mashtrimi. Vetëm se së fundmi në vendin tonë, u përfol edhe mbi historinë rozë me moderatoren Ilda Bejleri, me të cilën ka sjellë në jetë një vajzë, Sienan./ZËRI