
TIRANË- Pavarësisht thyerjes së rëndë të sigurisë në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, për zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve Fehmi Sufaj nuk ka rënë “atomi”. Sufaj u shpreh se drejtuesit e burgut ishin në dijeni që herë pas here bëheshin lëshime, por që ishin marrë masat. Po ashtu ai shprehet se në burgun e sigurisë së lartë në Peqin kryeshin kontrolle të vahzdueshme në dhomat e qelive. Deklaratën e bëri i ftuar në "Report Tv".
Fehmi Sufaj: Nuk është se ka rënë atomi. Nuk ka ra, tregon për episode që flasin për një prishje ekuilibrit të sigurisë. Në disa lëshime fillimisht të vogla, mbase njëra pas tjetrës, kanë ardhur sende të ndaluara, por nuk është vepër penale të futet një kondicioner. Mund të ketë raste që është prishur kjo kërkesë. Drejtuesi kishte marrë informacion që ka prishje të rendit të sigurisë, kanë depërtuar sende jashtë atyre që nuk janë të autorizuar, telefona, se janë kapur disa. U morën disa masa, shkarkimi i atij drejtori dhe emërimi i atij që është arrestuar. U emërua edhe shefi i policies. Kemi pasur sepse ka pas nisur një proces rekuperimi të situatës nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Njëra ishte zëvendësimi i stafit drejtues përmes zotit Hoxha dhe Gjonpali. Letra është analizuar. Kemi pasur dhe informacion edhe më përpara dhe janë marrë masa. I pari ishte zëvendësimi i titullarëve. Masa e dytë janë bërë disa ndryshime në stafin e sigurisë. Masat e tjera kanë qenë kontroll radikal i vazhdueshëm sistematik nga forcat operacionale në drejtorinë e burgjeve. Prokuroria është duke bërë hetime, është gjetur një celular, kjo tregon që hetimet do zgjerohen. Sa i përket masave tona, para se të shkruhej informacioni, ishin marrë masa dhe ishin dërguar procedime penale për disa punonjës, ishin referuar në prokurori.
Çfarë ndodhi në Peqin?
Mesditën e 15 dhjetorit, Mjacaj ekzekutoi Arben Lleshin brenda qelisë së tij. Pas ngjarjes ai ka tentuar të marrë peng disa familjarë të të burgosurve të tjerë në dhomën e takimeve dhe disa gardianë, por më pas është mbyllur në qelinë e tij. Ishin negociatat me drejtorin e Burgut të Peqinit ato që e bindën të vetëdorëzohet, pasi u garantua se nuk do të vritej. Deri më tani dyshohet se shkak për vrasjen e Arben Lleshit është bërë gjakmarrja dhe se urdhri mund të ketë ardhur nga familja Hoxha, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar pasi hetimet vijojnë. Vrasësi Sokol Mjaçaj, vuante dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë në vitin 2015./ZËRI