Aktualitet

Dëbora paralizon juglindjen/ Situatë e rënduar, mbi 1100 familje mbeten pa energji elektrike

Në total, 1143 familje rezultojnë aktualisht pa energji elektrike në qarkun e Korçës

F.I
Dëbora paralizon juglindjen/ Situatë e rënduar, mbi 1100 familje
pamje nga ngjarja

KORÇË-Juglindja e vendit u përfshi nga reshje intensive bore, duke shkaktuar izolim dhe një situatë të rënduar. Raportohet se një numër fiderësh janë stakuar për shkak të defekteve teknike, duke lënë pa furnizim me energji një numër të lartë abonentësh, kryesisht në zonat rurale.

Probleme janë shfaqur në fidërin Cërrvenakë të nënstacionit Gur i Kuq, i cili ka dalë jashtë funksionit për shkak defekti. Ndërkohë, fidëri 4 i nënstacionit Lozhan funksionon pjesërisht, duke shkaktuar ndërprerje për 55 abonentë ruralë në zonat Zerec, Kopesh, Dushar dhe Dobërcan. Pa energji ka mbetur edhe fidëri 9 i këtij nënstacioni, ku rreth 400 abonentë në Zvarisht, Tresovë dhe Dolan janë prekur nga ndërprerja.

Ndërprerje janë raportuar edhe në fidërin komunal 3 të nënstacionit Maliq, që furnizon zonat Dardushë, Nicë dhe Sterkanj, me rreth 80 familje pa energji. Situatë e ngjashme paraqitet në nënstacionin Leskovik, ku fidëri JO6 ka lënë pa furnizim zonat Gjyrakare, Postenan dhe Peshtan, ndërsa në nënstacionin Ersekë, fidëri 3 ka ndërprerë energjinë për 50 abonentë ruralë në Kamnik, Piskal, Ndërmarrje, Shijan dhe Kaduc.

Probleme janë evidentuar edhe në Vithkuq, ku fidëri i nënstacionit Rehovë është pjesërisht jashtë funksionit, duke prekur rreth 250 abonentë në zonën Lekas. Në total, 1143 familje rezultojnë aktualisht pa energji elektrike në qarkun e Korçës./ZËRI

Poll

MOS HUMB