TIRANË-Një konflikt i dhunshëm ka ndodhur ditën e djeshme (8 janar) në burgun e Reçit, në Malësinë e Madhe, ku dy të dënuar janë përplasur fizikisht, duke përfunduar me dëmtime të rënda. Konkretisht Astmer Bilali dhe Mikel Thani janë përfshirë në një konflikt fizik mes njëri-tjetrit duke përfunduar në spitalin e burgut në Tiranë.
Ngjarja ka ndodhur gjatë kohës kur po hanin drekë, kur mes tyre nisi një debat i cili degjeneroi shpejt në dhunë fizike. Sipas burimeve, Thanit i janë bashkuar disa të burgosur të tjerë, duke acaruar më tej situatën. Rojet e burgut ndërhynë për të ndarë palët, ndërsa të dy të dënuarit kanë pësuar dëmtime të shumta në trup.
Pas sherrit Astmer Bilali dhe Mikel Thani u transportuan drejt Tiranës për të marrë mjekim të specializuar në spitalin e burgut pas dëmtimeve të rënda që kanë pësuar në trup.
Mikel Thani u arrestua në 2015 pasi ishte i dyshuar për plagosjen e prindërve të ish të fejuarës dhe mbesës së tyre ndërsa Astmer Bilali është arrestuar në kuadër të dosjes “Metamorfoza”. Bilali u arrestua në vitin 2018 si pjesë e grupit “Bajri”. Në 2020-n Astmer Bilali u dënua nga gjykata me 3 vite heqje lirie, me gjykim të shkurtuar. Ai akuzohej për armëmbajtje pa leje, ndërtim i paligjshëm dhe paracaktim i rezultateve sportive. Astmer Bilali është hasmëri me familjen Lici në Shkodër. Po ashtu ai u përmend nga Fahrije Alija, nëna e Endri Mustafës, ky i fundit i vrarë në Maj të 2021-t, si porositës dhe i implikuar drejtpërdrejtë në vrasjen e të birit.
Ndaj Astmer Bilalit rëndojnë akuzat për sigurim kushtesh për të kryer vrasje të ngelur në tentativë ndaj shtetasve Dorjan Duli, Ibrahim Lici dhe Genc Tafili. Bilali është në qeli pas megaoperacionit Metamorfoza në korrik 2023. Bilali akuzohet nga SPAK edhe si ekzekutori i drejtpërdrejtë i Fatbardh Licit, xhaxhait të Ibrahim Licit./ZËRI