TIRANË- Pronat në Zvërnec kanë qenë në fokus të hetimeve, ndërsa SPAK ka përfunduar fazën e parë të operacionit duke lëshuar 20 urdhër-arreste. Mes të dyshuarve figurojnë edhe emra të njohur të botës së biznesit, përfshirë biznesmenin Artur Shehu, i cili rezulton pronar i disa sipërfaqeve të konsiderueshme toke. Ai është shpallur në kërkim si i dyshuar për përfshirje në grupe kriminale të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.
Në skemën e dyshuar të tjetërsimit të pronave në Zvërnec përmendet edhe ish-gjyqtari Alaudin Malaj, i cili dyshohet se ka dhënë dy vendime në favor të Artur Shehut dhe grupit të tij për pronat në këtë zonë.
Sipas dokumenteve të publikuara nga Timon.al, vendimi i Gjykatës së Apelit i vitit 2013 tregon se Malaj ka qenë pjesë e trupit gjykues që ka vendosur në favor të trashëgimtarëve të familjes Shehu në çështjen e pronave në Zvërnec. Ndërkohë, ish-gjyqtari dyshohet se ka përfituar mijëra metra katrorë tokë në formë dhurimi ose blerjeje me çmim simbolik, duke ngritur dyshime mbi përfitime të mundshme të lidhura me këtë çështje, pavarësisht deklaratave të tij të mëparshme se nuk ka dhënë vendime në favor të Shehut.


Më konkretisht, në pronësi të kompanisë “AL–GO shpk”, me NIPT M37202204U, rezultojnë 20,400 m² tokë në Zvërnec. Sipas hetimeve, përmes kësaj kompanie dhe lëvizjeve të shpejta të aksioneve mes familjarëve, janë administruar mijëra metra katrorë pronë në këtë zonë.
Ndërkohë, kjo nuk është e vetmja kompani e lidhur me emrin e Alaudin Malajt. Në pronësi të “AM-Invest shpk” rezultojnë 25,000 m² tokë në zonën e Zvërnecit. Kjo kompani është gjithashtu në pronësi të familjarëve të ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit Tiranë.
Në dosjen hetimore, siguruar nga ZËRI evidentohet mënyra se si janë tjetërsuar sipërfaqe të mëdha toke në Zvërnec, duke kaluar nga trashëgimtarët tek vetë Artur Shehu./ZËRI