
TIRANË- Azbi Dervishi, babai i 18-vjeçarit Aurelio Dervishi, i cili u vra me thikë mbrëmjen e 31 marsit të këtij viti nga një 15-vjeçar, ka folur për herë të parë pas krimit. Në një rrëfim për “Euronews”, Dervishi ka treguar se me të birin ishte shumë i lidhur dhe është i bindur se Aurelio nuk ka pasur konflikte me askënd.
“Kam pasur një lidhje shumë të ngushtë me Aurelion, e kam pasur shumë afër, më tregonte gjithçka. Kurrë nuk ka pasur konflikte me asnjë, jam plotësisht i bindur. Unë e di çfarë fëmijë kam pasur, ishte i shkathët. Gjithmonë më thoshte ‘babai, në derën tonë nuk ka për të ardhur kurrë njeri të të thojë që Aurelio me ka rënë në qafë, ta siguroj, por rrugë njeriu nuk i hap’, këtë ma thoshte. Nuk i bie në qafë njëru më thoshte, dhe as nuk ka pse të më bjerë në qafë njëri. Kujtimet me të janë të pafundme… Kujtime nga më të ndryshme, e ka pas afër gjithmonë. Do bëj gjithçka për ty më thoshte, do të të bëj krenar”. Me punë krahu i kam rritur fëmijët. Nuk e kam penguar për asgjë, më thoshte do dal me shokët, i thoja ‘nuk dua gabime, nuk dua njeri të trokas e të më thotë që djali më bëri këtë’. Jam munduar gjithmonë t’i plotësoj çdo gjë, ishte gjithçka për mua,”- tha ai
Azbi Dervishi tregon se nga katër autorët e arrestuar për ngjarjen, Frensi Shehu 20 vjeç dhe tre të mitur, dy 16-vjeçarë dhe 15-vjeçari që dyshohet se e ka qëlluar, disa prej tyre kanë tentuar t’i kërkojnë falje, por ai ka refuzuar.
“Nuk i kam pranuar, nuk ma bën zemra. Unë si prind kërkoj dënim maksimal, djalin tim po e tret dheu, të treten dhe ata atje brenda. Nëse gjykata nuk merr vendim, mbetet të marr unë vendim, pres shtetin…”, tha ai.
Aurelio Dervishi humbi jetën gjatë një sherri me thika mes disa të rinj. Shkak për sherrin mes të rinjve që degjeneroi më pas në vrasje, dyshohet të jetë bërë një vajzë që ishte e dashura e shokut të Dervishit, por që më herët kishte qenë e lidhur me një tjetër djalë që ishte pjesë e grupit të agresorëve. Të katër autorët po udhëtonin me makinë dhe i kanë dhënë sinjal me drita Dervishit që të ndalonte dhe të përballej me ta.
Të rinjtë janë përleshur fizikisht, ndërsa një 15-vjeçar që ishte mes tyre e ka qëlluar me thikë në gjoks Dervishin duke e lënë të vdekur.