TIRANË- Çështja e ish-ministres Belinda Balluku pritet të shqyrtohet në Gjykatën e Lartë, ku relator është caktuar gjyqtari Ilir Panda. Balluku i është drejtuar Gjykatës së Lartë me rekurs, duke kundërshtuar masën e sigurisë “ndalim i daljes jashtë vendit”.
Ndërkohë, të hënën Gjykata e Posaçme e Apelit shqyrtoi masën e “pezullimit nga detyra”. Edhe pse Balluku nuk ushtron më një funksion në pushtetin ekzekutiv, gjykata vendosi ta lërë në fuqi masën, ndërsa mbrojtja kërkoi pushimin e çështjes.
Balluku akuzohet nga Prokuroria e Posaçme se së bashku me vartësit e saj ka paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. Po ashtu SPAK ka kërkuar arrestimin e saj pasi ka argumentuar se lënia e saj e lirë rrezikon të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët. Lidhur me këtë kërkesë, Kuvendi do të votojë më 12 mars për heqjen ose jo të imunitetit të Ballukut./ZËRI
