TIRANË-GJKKO vendosi që të kalojë për gjykim dosjen në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi dhe të pandehurve të tjerë. Në dalje të ambjenteve të gjykatës avokati i Metës, Kujtim Cakrani, deklaroi se gjykata pranoi se hetimet janë të paplota dhe se mungojnë prova materiale dhe dëshmi, por sërish vendosi të mos pranojë kërkesat për plotësim hetimesh dhe ta dërgojë çështjen për gjykim.
Avokati Kujtim Cakrani: Gjykata pasi relatoi kërkesat tona kur ne i kishim të bazuara për plotësim hetimet, gjykata i konstatoi se hetimet janë të paplota. Gjykata përsëri nuk u ngrit dot në lartësinë që kërkon detyra, nuk pranoi kërkesat dhe e kali çështjen për gjykim duke thënë që këto çështje zgjidhen vetëm në themel. Gjykata e themelit do të bëjë dhe prokurorin dhe gjykatësin. Nuk ka asnjë të re, sot ka përfunduar çështja ligjore në themel fillon çështja politike. Kjo është një procedurë koti. Kemi 7 muaj që merremi me gjykatën dhe janë tallur me avokatët. Mangësitë e hetimeve ka qenë dëshmitë që duhet të merreshin në SHBA që gjykata i konstatoi, dëshmitë në Shqipëri me parlamentarët shqiptarë, që nga Rama dhe të gjitha ta që ideuan ligjin për minierat. Gjykata përsëri tha që duhet të merren në themel. Prova të tjera, janë prova të tjera që Kryemadhi ka bërë dhe aktet e vlerësimet financiare që dhe aty ka mangësi. Kryemadhi e Meta nuk shin familjarë. Kanë qenë dy deputetë, kanë pasur role të ndryshe ne jetën politike.
Ndërkohë në deklaratën e saj, Monika Kryemadhi e cilësoi procesin si politik, duke theksuar se do të përballet me akuzat në seancat gjyqësore. Kryemadhi pretendoi se gjatë seancës, gjyqtarja ka përmendur disa elementë që sipas saj nuk janë paraqitur nga prokuroria. Kryemadhi ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi akuzat për korrupsion, duke përmendur rastin e biznesmenit Adrian Shatku, për të cilin tha se nuk është marrë në pyetje. Sipas saj e vetjma gjë e mirë nga procesi është se për në Strasburg Metës i jep shans të madh.
Monika Kryemadhi: Ne do kënaqemi përditë në seanca, do të shohim Big Brother të drejtësisë. Kjo është një drejtësi qesharake. Por ka një gjë të mirë ky vendim, se për në Strasburg Metës i jep shans të madh, jo vetëm për të zbardhur çështjen në lidhje me veten e tij, por edhe për të treguar që ato miliona dollarë taksapaguesit amerikanë dh evropianë kanë paguar për një sistem drejtësie, për të cilën kryepolicët e drejtësisë thonë që gjykata afërmendsh merr vendimin që thotë prokuroria. Unë s’kam asnjë lloj surprize. Ky është gjyq politik, ka qenë gjyq politik. Kam frikë se videot e Agasit kërcënojnë shumë njerëz edhe brenda GJKKO. Fatin tonë në dorë nuk e ka as GJKKO-ja, as Prokuroria, fatin tonë e kemi vet në dorë, kjo është betejë me opinionin publik, beteja me drejtësinë ka munguar. Beteja jonë është betejë me vetveten dhe me zotin.
Ilir Meta akuzohet për tre vepra penale, për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion. Po të njëjtat akuza rëndojnë edhe mbi ish-deputeten dhe ish-bashkëshorten e Metës, Monika Kryemadhi./ZËRI