Aktualitet

Kalon për gjykim dosja Meta-Kryemadhi! Ish-presidenti nën akuzë për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie

Për dyshimet se kanë ndihmuar në pastrimin e parave, në gjyq është çuar edhe Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit dhe Ema Çoku.

F.I
Kalon për gjykim dosja Meta-Kryemadhi! Ish-presidenti nën akuzë
Avokati Kujtim Cakrani dhe Monika Kryemadhi

TIRANË-Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur që dosja ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi dhe të pandehurve të tjerë, të kalojë për gjykim. Dosja përfshin tre hetime, çështjen CEZ-DIA, lobimin e LSI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe hetimin pasuror.

Meta akuzohet për tre vepra penale, për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion. Po të njëjtat akuza rëndojnë edhe mbi ish-deputeten dhe ish-bashkëshorten e Metës, Monika Kryemadhi. Ish-presidenti ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje.

Meta dhe Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.

Për dyshimet se kanë ndihmuar në pastrimin e parave, në gjyq është çuar edhe Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit dhe Ema Çoku. Ndërkohë, Pirro Xhixho përballet me akuzën për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Hetimi nisi në vitin 2019 pas dy kallëzimeve të mbërritura në SPAK.

Në përfundim të seancës, jashtë ambjenteve të GJKKO, avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani tha se kalimi për gjykim i dosjes, ka çuar në përfundimin e procesit ligjor për Metën dhe nisjen e çështjes politike. Edhe Monika Kryemadhi e quajti gjyqin politik, teksa e cilësoi procesin e saj dhe të Metës, si një farsë. Kryemadhi ka theksuar se vetë gjyqtarja Irena Gjoka ka pranuar se nuk ka asnjë provë, ndërsa sipas saj prokurorët thonë akuzat janë perceptime. /ZËRI

Poll

MOS HUMB