Aktualitet

“Dua të iki t’i shoh”, dramë në Fier, gruaja humb kontaktin me burrin dhe djalin: Mbetën në mes të ujit për të shpëtuar bagëtitë

Banorët kanë qëndruar në gatishmëri gjatë gjithë natës, ndërsa disa familje mbeten të izoluara për shkak të bllokimit të rrugëve

E.K
“Dua të iki t’i shoh”, dramë në Fier, gruaja
gruaja qe ka humbur kontaktet me familjaret

FIER- Çarja e argjinaturës në disa segmente, si pasojë e prurjeve të shumta të Semanit ka bërë që lumi të vërshojë në disa fshatra të Fierit, ndërsa disa qytetarë kanë humbur kontaktet me familjarët e tyre, të cilët kanë mbetur të izoluar në mes të ujit, në përpjekje për të shpëtuar bagëtitë që gjenden në stane. Banorët bëjnë apel për ndihmë urgjente ndërsa vijon operacioni për evakuimin e tyre dhe të bagëtive të izoluara, ndërsa shprehen se primare për ta janë shpëtimi i jetëve njerëzore.

Një grua shprehet se ka humbur kontaktet me djalin dhe bashkëshortin e saj, të cilët nuk i përgjigjen thirrjeve telefonike.

“Kam 300 kokë bagëti, nuk i nxorëm dot sepse erdhi uji me forcë. Atje kam burrin dhe djalin, të ikin t’lënë delet, dua të iki t’i shoh”, u shpreh gruaja mes lotëve.

“Prej dje janë shqyer argjinaturat. Kjo është hera e parë, jam 53 vjeç dhe nuk ka ndodhur një përmbytje e tillë më parë. Shkak janë mos mirëmbajtja e argjinaturave”, u shpreh një tjetër.

“Është çobani lart, kanë tre ditë pa bukë nuk e dimë as ku janë. Nuk kanë bateri në telefon dhe nuk dimë se çfarë bëhet. Duam t’i nxjerrim që atje, nuk po pyesim më për mallin, duam vetëm të shohim për njerëzit, jetët e njerëzve”, deklaron një tjetër banor.

Fshati Hasturkas, në Njësinë Administrative Libofshë të Bashkisë Fier, është përfshirë nga përmbytje të rënda si pasojë e rritjes së prurjeve të lumit Seman. Sasia e madhe e ujit ka çarë argjinaturën në 3–4 segmente, duke shkaktuar përmbytje të konsiderueshme në zonë.

Banorët kanë qëndruar në gatishmëri gjatë gjithë natës, ndërsa disa familje mbeten të izoluara për shkak të bllokimit të rrugëve, çka e bën të vështirë edhe ndërhyrjen e shërbimeve emergjente. Situata mbetet kritike dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme për evakuim dhe riparimin e argjinaturës së dëmtuar. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB