TIRANË- Projekti “Durana Tech Park”, i vendosur të paktën në letër në zonën e Xhafzotajt, është kthyer ditët e fundit në qendër të vëmendjes, për shkak të denoncimit të bërë fillimisht nga ish-zvkryeministri Arben Ahmetaj, dhe më pas edhe nga hetimet e SPAK që kanë gjetur lidhje mes korrupsionit në AKSHI dhe kësaj platforme. Projekti në fjalë, që është vetëm një ide virtuale, ju ka mundësuar rreth 50 kompanive të lidhura me AKSHI-n, që të përfitojnë heqjen e taksave, duke u shndërruar kështu në një parajsë fiskale, me pretendimin se këto biznese sjellin risi në fushën e teknologjisë dhe informacionit dhe do të punësojnë mijëra të rinj, gjë që deri tani nuk ka ndodhur.
“Durana Tech Park” ka si pronare Korporatën e Investimeve Shqiptare, që drejtohet nga Elira Kokona, një person i afërt me qeverinë Rama, që ka mbajtur disa pozicione drejtuese, ndërsa administrohet nga Gjergji Taho dhe Florensa Kovaçi. Kjo e fundit ka qenë dje e ftuar në A2, ku iu është përgjigjur akuzave në lidhje me projektin, dhe favorizimit që i është bërë një pjese të kompanive që janë përfshirë në skemë, përmes Këshillit Shqiptar për Teknologjinë dhe Inovacionin (ACTI), që drejtohet as më pak dhe as më shumë, sesa nga biznesmeni i shpallur në kërkim me urdhër të SPAK, Ermal Beqiri.
Sipas Kovaçit, Durana Tech Park është një projekt i bazuar plotësisht në ligj për parqet teknologjike dhe në VKM-të përkatëse, të cilat lejojnë funksionimin fillestar në formë virtuale dhe më pas kalimin në fazën fizike. Ajo deklaroi se parku ndodhet aktualisht në fazën virtuale, ndërsa ndërtimi fizik do të realizohet brenda afatit 36-mujor të parashikuar nga ligji.
“Disa prej akuzave i kam ndjekur disa jo, janë disa lajme që kanë dalë, që për mendimin tim janë të pavërteta. Mjafton që të lexohet VKM dhe ligjet dhe gjithçka është e qartë. VKM 73 që ka dalë në Janar 2025, sqaron operimin e parkut në të dyja fazat e tij, në atë fizike dhe në atë hibride. Parku nuk ka nevojë që të ndërtohet, pasi ne shohim nëse ka një numër kompanish që shprehin interes, dhe më pas do të bëhet ndërtimi fizik. Durana Tech Park nuk ka lidhje me një individ të caktuar, qeveria vetë pa që ne jemi i vetmi vend në rajon që nuk kishin një park. Ligji për parqet teknologjike ka dalë në vitin 2022. Serbia ka disa parqe, jodomosdoshmërisht parqe virtuale. Parku ka hapur thirrjen në pranverën e vitit 2025 dhe kontrata e parë është lidhur në qershor 2025. Deri më sot janë 78 kompani të regjistruara ose në fazë përfundimtare regjistrimi, shumë më tepër se pritshmëria fillestare prej 11 kompanish në vitin e parë,” deklaroi Kovaçi.
Sipas administratores së Durana Tech Park, më pak se gjysma e kompanive janë shqiptare, ndërsa pjesa tjetër janë të huaja, kryesisht në fushën e teknologjisë, inteligjencës artificiale, zhvillimit të softuerëve, robotikës dhe kërkimit shkencor. Sipas saj, asnjë aktivitet ekzistues nuk transferohet në park për të shmangur taksat, por kompanitë lejohen të zhvillojnë vetëm aktivitete të reja dhe inovative.
Administratorja hodhi poshtë akuzat për parajsë fiskale, duke deklaruar se modele të ngjashme ekzistojnë në vende të BE-së si Estonia, Letonia, Franca dhe Holanda. Ajo argumentoi se lehtësitë fiskale janë instrument për të tërhequr kompani ndërkombëtare që ndryshe nuk do të zgjidhnin Shqipërinë, duke sjellë vende pune për të rinjtë dhe zhvillim ekonomik afatgjatë.
“Përfitimi kryesor për Shqipërinë është punësimi i të rinjve dhe krijimi i aktiviteteve të reja ekonomike. Shteti heq dorë nga disa taksa sot, por fiton shumë më tepër nesër,” tha Kovaçi.
Durana Tech Park është prezantuar për publikun gjatë vitit të kaluar, në një ceremoni ku ishte i pranishëm dhe vetë kryeministri Edi Rama, si dhe Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj dhe Drejtorja Ekzekutive e Albanian Investment Corporation, Elira Kokona.
Rama u shpreh i bindur asokohe se Durana Tech Park do të shndërrohej në një qendër të fuqishme të inovacionit dhe do të kontribuojë në forcimin e sektorit të teknologjisë dhe sipërmarrjes në Shqipëri.
“Ta bëjmë Shqipërinë lider në shërbimet publike elektronike dhe sot është një fakt ashtu siç dukej utopik besimi ynë se procesin e negociatave do ta përshpejtonim me ndërhyrjen e Ai gjë që sot po ndodh, ashtu siç duket utopik dhe që të kemi AI për të zhvilluar prokurimet publike pa pjesëmarrjen e njeriut. Do ta kemi në dispozicion deri ne fund të vitit të ardhshme jemi po punojmë me Mikrosoftin por edhe me vende të tjera ku kemi pasur përfaqësues nga 16 vende që po merren me këtë produkt. Durana Tech Park merr jetë nga realiteti në letër ku qëllimi kryesor që të angazhojmë sa më shumë talente shqiptare.
Durana Tech Park është destinacion i krijuar për talente shqiptare dhe të rinjtë shqiptarë duke ju hapur një perspektiv inkurajuese për të realizuar Durana Tech Park kemi bërë një analizë shumë të gjatë, kemi shqyrtuar me kujdes legjislacionin evropian, kemi parë si kanë funksionuar në vende të tjera dhe besoj se kemi krijuar një kornizë unikale duke marrë më të mirën nga të tjerët. Sot ky park çon para një revolucion digjital që do të vazhdoj, së shpejti do të prezantojmë dhe modelin tjetër të AI në shërbimet publike. Ajo që është një surprizë e bukur për në është ai që na bën përshtypje që është se ka interes në institucione publike ka interes nga universitete italiane por edhe të tjera”, do të shprehej mes të tjerave Rama. /ZËRI
