
TIRANË- Durim Bami vijon të jetë në i burgosur në Emiratet e Bashkuara Arabe. Së fundmi, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përmes Ministrisë së Drejtësisë, ka dërguar të gjithë dokumentacionet për faktet penale lidhur me ngjarjet për të cilat Durim Bami dyshohet se i ka kryer gjatë periudhës 2020-2021.
Pas dorëzimit të dokumentacionit, do të jenë autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe, ato që do t'i kthejnë përgjigje autoriteteve shqiptare lidhur me rastin e Durim Bamit. Edhe pse në fakt, mes dy vendeve nuk ka ende një marrëveshje ekstradimi.
Në kuadër të operacionit ‘Revansh’, i cili u finalizua nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Durim Bami akuzohet se kishte krijuar kushtet për të vrarë Arben Ndokën, Tori Xheçukën dhe Erigers Mihasin. Po ashtu sipas dosjes efektivi i RENEA-s, Altin Morina rezulton se kishte bashkëpunuar me Durim Bamin për të organizuar kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Niklës së Tapizës.
Burime për ZËRI bëjnë me dije se ndaj Durim Bamit, është lëshuar edhe një urdhër arrest për atentatin e dështuar ndaj Marklen Hakës në vitin 2019, ku mbeti e vrarë halla e tij. Për këtë ngjarje është arrestuar dhe Naim Stafuka, vëllai i Enver Stafukës, i cili edhe sot rezulton i zhdukur. Po ashtu, mbi Durim Bamin janë ngritur dyshime se ka gisht edhe në dy ngjarje të tjera kriminale, siç është vrasja e Gentjan Bejtjas në Larushkë në Fushë Krujës dhe Roan Brahimit, pak muaj më parë në Greqi. Megjithatë për të dyja rastet Bami është i dyshuar, pasi ndaj tij (të paktën deri më tani) nuk janë ngritur akuza.
Nga ana tjetër, po sipas dosjes së Prokurorisë së Posaçme, Durim dhe Valter Bami ishin në ndjekje nga 16 persona të tjerë të cilët kërkonin për t’i vrarë në një luftë të vërtetë mes grupeve më të mëdha kriminale në Shqipëri, me këta të fundit që ofruan 1 milion euro për ‘kokën’ e “të fortit të Niklës”. /ZËRI