Aktualitet

E duan me çdo kusht Durim Bamin/ Ministria e Drejtësisë kërkesë zyrtare Dubait: Ekstradojeni!

Shkresa, e cila mban firmën e ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja është dërguar në rrugë shkresore dhe elektronike.

k.m.
E duan me çdo kusht Durim Bamin/  Ministria e Drejtësisë
Durim Bami

TIRANË- Ministria e Drejtësisë ka nisur zyrtarisht kërkesën për ekstradimin e Durim Bamit nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Shkresa, e cila mban firmën e ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja është dërguar në rrugë shkresore dhe elektronike. Si dosja e Bamit, ashtu edhe kërkesa e fundit janë marrë në dorëzim nga pala arabe. Aktualisht, që prej qershorit, Bami është në pranga. 

Pas dorëzimit të dokumentacionit, do të jenë autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe, ato që do t'i kthejnë përgjigje autoriteteve shqiptare lidhur me rastin e Durim Bamit. Edhe pse në fakt, mes dy vendeve nuk ka ende një marrëveshje ekstradimi.

Bami akuzohet se kishte krijuar kushtet për të vrarë Arben Ndokën, Tori Xheçukën dhe Erigers Mihasin. Po ashtu, sipas dosjes "Revanshi", efektivi i RENEA-s, Altin Morina rezulton se kishte bashkëpunuar me Durim Bamin për të organizuar kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Niklës së Tapizës. Burime për ZËRI bëjnë me dije se ndaj Durim Bamit, është lëshuar edhe një urdhër arrest për atentatin e dështuar ndaj Marklen Hakës në vitin 2019, ku mbeti e vrarë halla e tij.

Për këtë ngjarje është arrestuar dhe Naim Stafuka, vëllai i Enver Stafukës, i cili edhe sot rezulton i zhdukur. Po ashtu, mbi Durim Bamin janë ngritur dyshime se ka gisht edhe në dy ngjarje të tjera kriminale, siç është vrasja e Gentjan Bejtjas në Larushkë në Fushë Krujës dhe Roan Brahimit, pak muaj më parë në Greqi. Megjithatë për të dyja rastet Bami është i dyshuar, pasi ndaj tij (të paktën deri më tani) nuk janë ngritur akuza. Nga ana tjetër, po sipas dosjes së Prokurorisë së Posaçme, Durim dhe Valter Bami ishin në ndjekje nga 16 persona të tjerë të cilët kërkonin për t’i vrarë në një luftë të vërtetë mes grupeve më të mëdha kriminale në Shqipëri, me këta të fundit që ofruan 1 milion euro për ‘kokën’ e “të fortit të Niklës”./ZËRI

Poll

MOS HUMB