Aktualitet

E kërkon policia, por e gjen gazetari! Guri: Nuk kam gisht në vrasjen e xhaxhait tim

Gjovalin Guri mohon që të ketë gisht në vrasjen e ndodhur në datën 27 Shtator në Dukagjin, ku u vra xhaxhai i tij dhe u plagos kushëriri

E.K
E kërkon policia, por e gjen gazetari! Guri: Nuk kam gisht në vrasjen
Gjovalin Guri, autori i dyshuar dhe i plagosuri Gjin Guri

DUKAGJIN- Teksa ndodhet në arrati, pasi dyshohet për vrasjen e xhaxhait të tij, dhe plagosjen e kushëririt, Gjovalin Guri mohon që të ketë gisht në atentatin e ndodhur në aksin Shosh-Kir në Dukagjin më 27 shtator. Guri ka folur për news 24, ku është shprehur se ngjarjen e ka mësuar përmes telefonit, pasi ndodhej i fshehur për një akuzë për drogë që ishte ngritur më herët ndaj tij.

Pas atentatit ndaj babë e bir në Dukagjin, ku u vra Zef Guri dhe u plagos i biri Gjini, policia e Shkodrës tha se Gjovalin Guri është i dyshuar kryesor për shkak të një konflikti me djalin e xhaxhait për shfrytëzimin e një hapësire pyjore. I dyshuari mohon këto akuza duke thënë se prej 12 vitesh nuk merret më me shfrytëzimin e pyllit.

Para dy vitesh Gjovalin Guri u akuzua për kultivimin kanabisi por edhe për ato akuza thotë se është i pafajshëm. Prej asokohe vijon që të jetë në kërkim nga policia. Vrasja e xhaxhait Zef Guri dhe plagosja e djalit të xhaxhait Gjin Guri është një tjetër çështje që tashmë sipas policisë rëndon mbi Gjovalinin, gjë e cila bën që 40-vjeçari të mos dorëzohet nga frika e padrejtësisë.

I dyshuari ka vetëm një kërkesë për shtetin shqiptar që të bëhet drejtësi dhe të hiqen akuzat ndaj tij sepse pretendon se është i pafajshëm qoftë për vrasjen por edhe për kanabisin ndërsa rrëfen edhe jetën e vështirë në arrati prej dy vitesh.

40-vjeçari bën apel që policia të gjejë autorët e vërtetë. Policia vendore e Shkodrës deri më tani nuk ka prova konkrete lidhur me vrasjen e Zef Gurit dhe plagosjen e djalit të tij Gjin Guri. Arsyeja e shpalljes në kërkim të Gjovalin Gurit, kushëri i parë i të dëmtuarve lidhet vetëm me një debat që mendohet se vijon prej vitesh mes tyre për shfrytëzimin e një hapësire pyjore në njësinë Shosh të Dukagjinit, gjë e cila hidhet poshtë nga 40-vjeçari i dyshuar./Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB