Aktualitet

E përfshirë në tregti armësh/ U ndihmua nga ish-këshiltari, lëvizjet bankare në Austri nxorën zbuluar Xhaçkën?

Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi janë vendosur zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), nën dyshimet për veprat penale të “Korrupsionit pasiv” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Redaksia Zëri
E përfshirë në tregti armësh/ U ndihmua nga
olta xhacka-artan gaci

TIRANË- Ish-ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, është rikthyer në qendër të vëmendjes pas zhvillimeve të fundit në një hetim të SPAK-ut që lidhet me dyshimet për korrupsion në tregtinë e armëve.

Sipas gazetarit Elton Qyno, hetimi është mbështetur edhe në biseda telefonike të administruara në dosjen penale, të gjetura në telefonin e Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres.

Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi janë vendosur zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), nën dyshimet për veprat penale të “Korrupsionit pasiv” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Transaksionet në Austri

Raportohet se nga hetimet e deritanishme janë gjetur të dhëna që e implikojnë ish-ministren e Jashtme në afera korruptive dhe transaksione përmes kompanive të bashkëshortit të saj. Sipas burimeve, bëhet fjalë për transaksione në vlera prej mijëra eurosh, të kryera përmes një banke në Austri, gjatë periudhës kur Olta Xhaçka drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes.

Nga ana tjetër, hetimet vijojnë për të sqaruar natyrën e këtyre transaksioneve dhe nëse ato lidhen me veprimtari të paligjshme.

Roli i ish-këshilltarit

Pritet që nën hetim të vendoset dhe një ish-këshilltar i njohur i ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Ky i fundit, sipas burimeve, dyshohet se ka transferuar shuma parash në një bankë në Austri. Dyshimet lidhen me procedurat e tenderimit të zhvilluara nga Ministria e Mbrojtjes për blerjen e armëve dhe municioneve nga një subjekt privat.

SPAK pretendon se ka arritur të sigurojë prova në telefonin e Artan Gaçit dhe se në disa raste, përmes këtij telefoni, ka biseduar me persona të tretë dhe vetë ministrja e atëhershme e Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Megjithatë, për të verifikuar këto biseda, prokurorisë së posaçme SPAK ka dërguar letërporosi në Austri, me qëllim marrjen e të gjithë praktikës dokumentare në bankën austriake dhe një sërë provash të tjera.

Burime bëjnë me dije se pas mbërritjes së përgjigjes nga Austria, prokurorët e SPAK kuptuan se transaksionet lidheshin direkt për përfitim financiar me çiftin bashkëshortor, Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi. 

Rasti në fjalë është regjistruar pas daljes së provave hetimore të një hetimi tjetër, duke u zbuluar një seri transaksionesh bankare dhe njëherësh disa komunikime në aparate telefonike.

Ndërkohë më 8 tetor 2026, Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme, u paraqit SPAK, i shoqëruar nga avokati Gurali Braimllar në kuadër të hetimeve për pastrim të produkteve të veprës penale. Bëhet fjalë për një dosje italiane, e cila e lidh Gaçin me aktivitetin e një kompanie që kishte si objekt të shprehur shërbimet e marketingut telefonik dhe call centerave. 

Poll

MOS HUMB