
TIRANË- Kulmi i tensioneve në familjen mbretërore ka arritur mesditën e kësaj të mërkure. Princ Leka dhe Elia Zaharia të cilët janë në proces divorci kanë hedhur akuza ndaj njëri-tjetrit duke pretenduar se janë përfshirë në përplasje fizike, pasditen e djeshme.
Në dëshmitë e pasqyruara gjatë ditës nga ZËRI fillimisht u zbulua se e gjitha ka nisur kur Princi ka shkuar të takojë vajzën në shtëpinë e tij ku jeton me të ëmën, Elian, por është përballur fillimisht me babain e saj Gjergj Zaharinë.
Referuar dëshmive, ish-vjehrri i tij po kujdesej për mbesën, pasi Elia nuk ndodhej në banesë dhe në takimin mes të dyve ka patur një përplasje fizike. Princi pretendon se është dhunuar nga Gjergj Zaharia, ndërsa ky i fundit ka thënë se është i moshuar dhe s’mund të dhunojë askënd.
Në dëshminë e tij, Princ Leka pretendon se është dhunuar me sende të forta si statuja e drurit, ndërsa thotë se ish-vjehrri i ka grisur edhe xhupin në sy të vajzës. Ai thotë se sherri nisi nga ana e Gjergj Zaharia që ka filluar me fjalë fyese e kërcënuese në drejtim të tij, teksa e paralajmëroi që saherë ta shihte të ndërronte rrugë.
Dëshmia e plotë e Princ Lekës:
"Ka qenë në ora 15:20 minuta në banesën time në rrugën “Murat Toptani” rezidenca familjes mbretërore Nr.6, Tirane për të takuar vajzën time të moshës 3-vjeçare, pasi me ish-bashkëshorten shtetasen Elia Zogu jemi në proces divorci. Unë fillimisht jam takuar me Shefin e administratës së Oborrit shtetasin Syl Mulosmanaj të cilin e kam pyetur në lidhje me një dollap që ishte boshatisur në kundërshtim me marrëveshjen. Më pas unë i kam kërkuar Sylës që të më shoqëronte deri tek vajza ime për ta takuar, për të cilën me një marrëveshje për zgjidhje martese kemi rënë dakord me ish-bashkëshorten. Unë jam ngjitur sipër së bashku me Sylën edhe kam gjetur vajzën time të vogël Geraldina Zogu e moshës 3-vjeç e cila ka qene ne shoqërinë e gjyshit të saj babit të ish-bashkëshortes shtetasit Gjergj Zaharia. Në këtë momente unë kam përqafuar vajzën time edhe shtetasi Gjergj Zaharia ka filluar me fjale fyese e kërcënuese në drejtimin tim duke më thënë t’i duhet të ndërrosh rrugën kur të më shikosh mua. Reagimi im para kësaj situate ka qenë duke ju drejtuar Gjergjit që të mos më ofendoj e kërcënojë sidomos në prani të vajzës edhe i kam kërkuar që ai të largohet nga dhoma ku unë po qëndroja me vajzën. Në këto momente situata ka agravuar shtetasi Gjergj Zaharia, më është afruar duke më shtyrë e goditur me shkelma tek këmbët e mia. Reagimi im ka qene vetëm mbrojtës, por Gjergji ka vazhduar duke më goditur edhe më ka grisur xhupin si edhe ka marrë edhe një send të fortë (statujë druri) me të cilin më ka goditur", dëshmon ai.
Dëshmië e Gjergj Zaharisë
Ish-vjehrri, Gjergj Zaharia ka hedhur poshtë akuat e Princit duke pretenduar se në fakt ai e ka sulmuar dhe për të ka qenë e pamundur t'i kundërpërgjigjet për shkak të moshës. Ai e akuzon Lekën se e ka dhunuar dhe e ka fyer me fjalë të rënda.
"Princi ishte i dhunshëm ndaj meje dhe më ka folur me një gjuhë të ashpër. Nuk e kam dhunuar, vetëm jam mbrojtur. Unë jam 70 e ca kusur vjeç dhe nuk qëndroj dot në këmbët e mia, jo më të godas me shkelma princin që është 2 metra i gjatë”, dëshmon ai.
Pas përplasjes, të dy janë paraqitur në polici, ku u është bërë akt ekspertimi mjekoligjor dhe i janë drejtuar gjykatës për urdhër mbrojtje. Edhe Elia i është drejtuar komisariatit me pretendime për dhunë nga ish-bashkëshorti. Pas denoncimit për dhunë, të Princ Lekës dhe Elia Zaharias, ka reaguar Policia, cila thotë se të dyja palët pretendojnë se janë dhunuar nga njëri-tjetri dhe janë pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Deklarata e policisë:
“Në Komisariatin e Policisë Nr. 1 është paraqitur shtetasi L. Z., 42 vjeç, dhe ka kallëzuar se shtetasja E. Z., 42 vjeçe, dhe shtetasi Gj. Z., 71 vjeç, kanë ushtruar dhunë ndaj tij. I është marrë deklarim shtetases E. Z., e cila gjithashtu pretendon se është dhunuar nga shtetasi L. Z. Për të dy këta shtetas janë plotësuar kërkesë paditë për urdhër mbrojtjeje të menjëhershme”, njofton policia.
VIDEO-ja e përplasjes fizike
Pas këtyre episodeve në rrjet është publikuar edhe videoja e momentit të përplasjes fizike mes Princ Lekës dhe Elia Zaharisë. Në video shihet teksa Elia Zaharia sulmon në disa momente Princ Lekën duke e akuzuar se i ka rrahur babanë.
“Ke prekur me dorë babin tim që të ka mbajtur me bukë. I ke gjuajtur babit që është 70 vjeç. I ke gjuajtur babit tim, do të çoj në gjyq ty mos bëj viktimën. Të rrahësh ti babain tim. Ti s’ke shkoll, ke vetëm katër klasë shkollë. Ti ke falsifikuar provat, i ke thënë shtetit shqiptar që je i shkolluar”, dëgjohet të thotë Elia.
Kriza në çiftin mbretëror shqiptare është thelluar edhe më shumë. Përpos divorcit, Princ Leka dhe Elia Zaharia pretendojnë se janë dhunuar nga njëri-tjetri pasditen e djeshme (5 mars 2024). Leka ka shkuar në komisariat ku ka bërë denoncimin dhe ka kërkuar urdhër mbrojtje. Në Komisariat ka qenë edhe babai i Elia Zaharias, Gjergj Zaharia i cili ka denoncuar po ashtu Princin për dhunë. Dyshes i është bërë akt ekspertimi mjekoligjor, ku janë konfirmuar shenja dhune në trupin e Eilas. Si Princi, ashtu dhe Elia, i janë drejtuar gjykatës për urdhër mbrojtje. Ndërkohë është publikuar në rrjet sherri mes Princ Lekës dhe Elia Zaharisë që ka degraduar në dhunë fizike. Princ Leka dhe ish-partnerja e tij aktorja Elia Zaharia, i dhanë fund martesës së tyre 7-vjeçare dhe rreth 1 dekade historie dashurie, nga e cila erdhi në jetë Princesha Geraldina II./ZËRI