
DURRËS- Ish-deputeti Mark Frroku ka folur pasi u la i lirë nga Gjykata e Durrësit, teksa u prit nga familjarë dhe të afërm të tij. Shkurtimisht për mediat, Frroku tha se të dielën ishte në vendin e punës, konform të gjitha rregullave në fuqi.
“Ishim në vendin e punës, konform të gjitha ligjeve që janë në fuqi. Ata erdhën dhe u konfliktuan, ne ishim në vendin e punës”, u shpreh Frroku pasi doli nga gjykata.
Ishte prokuroria e Durrësit ajo që kërkoi masën detyrim paraqitje për Frrokun dhe 7 personat e tjerë të arrestuar, kërkesë e cila u pranua nga Gjykata. I vetmi që mori masën e arrestit me burg në mungesë është shoferi i ish-deputetit, Besnik Toma. Ky i fundit dyshohet se ka qëlluar me armë pas konfliktit.
Konflikti që ndodhi të dielën në Kepin e Rodonit në fakt ishte një ngjarje e paralajmëruar, pasi për pronën rreth 5 mijë metra katrorë, ka pasur pretendime nga dy palë. Në njërën anë është Provinca Françeskane që pretendon se e ka marrë me vendim gjykate që në vitin 2008, dhe në anën tjetër familja Kaçuli thotë se ka një certifikatë pronësie.
IMT e Durrësit kishte vendosur që të ndalohej rrethimi i tokës, për të cilën Provinca Françeskane kishte kërkuar ndihmën e AML grup, që drejtohet nga Frroku dhe të afërmit e tij.