Aktualitet

E rëndë, humb jetën 21-vjeçari në burgun e Reçit

Mëngjesin e sotëm, ai u gjet pa ndjenja në qelinë e tij.

l.k
E rëndë, humb jetën 21-vjeçari në burgun e
Burgu i Reçit

SHKODËR- Një 21-vjeçar, Nicolae Ionnut Erion Deliver, ka ndërruar jetë sot në spital pas një periudhe paraburgimi prej dy vitesh për grabitje dhe drogë. I riu rumun ishte arrestuar më 7 tetor 2024 dhe mbante masën "arrest me burg" në Burgun e Reçit në Shkodër.

Mëngjesin e sotëm, ai u gjet pa ndjenja në qelinë e tij. Pas njoftimit të personelit të burgut, ai mori ndihmën e parë mjekësore dhe u transportua me urgjencë në spitalin rajonal. Pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, ai nuk mundi të mbijetonte. Burgjet njoftuan se po bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet për sqarimin e ngjarjes, ndërsa pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të zbardhur shkakun e vdekjes.

Njoftimi i Drejtorisë së Burgjeve:

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve informon opinionin publik se, në datën 25.01.2026, në IEVP Shkodër, ka ndërruar jetë shtetasi Nicolae Ionnut Erion Deliver, i datëlindjes 23.03.2005, lindur në Rumani dhe banues në Shkodër.

Ky shtetas ishte arrestuar më datë 07.10.2024 dhe ishte akomoduar në IEVP Shkodër më datë 10.10.2024, me masë sigurimi “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhje me dhunë” dhe “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.

Sipas informacionit paraprak, gjatë paradites së sotme, shtetasi është konstatuar nga personeli i shërbimit duke qëndruar në shtrat, ç’ka ka sjellë njoftimin e menjëhershëm të personelit shëndetësor të institucionit. Pas vlerësimit mjekësor, janë konstatuar parametra jetësorë të ulët dhe i është dhënë ndihma e parë mjekësore, me rekomandim për dërgim të menjëhershëm në urgjencën e spitalit rajonal.

Menjëherë është nisur me urgjencë drejt Spitalit të Koplikut, si struktura më e afërt shëndetësore. Gjatë transportimit i është dhënë ndihma mjekësore nga stafi shëndetësor.

Në urgjencën e Spitalit të Koplikut i është dhënë ndihma mjekësore e menjëhershme, por më pas mjeku i urgjencës ka konstatuar se shtetasi ka ndërruar jetë (exitus letalis).

Institucioni ka njoftuar menjëherë organet kompetente dhe po bashkëpunon plotësisht për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shpreh gatishmërinë për të vënë në dispozicion çdo informacion të mëtejshëm, në përputhje me ligjin”./ZËRI

Poll

MOS HUMB