
LEZHË- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Lezhë. Djali ka vrarë më thikë nënën e tij. Autori, i identifikuar si Arsen Dani ka vrarë me thikë të ëmën e tij, Gjylie Danin në bulevardin "Gjergj Fishta", i cili ndodhet në qendër të qytetit. Nga raportimet e para, djali ka qenë në kushte të rënduara psiqike dhe ka qëlluar të ëmën pas një sherri që kanë pasur bashkë, ndërsa kanë qenë fqinjët ata që kanë lajmëruar Policinë.
Pasi shkuan në ambientet e shtëpisë, efektivët e policisë kanë gjetur të moshuarën pa jetë, ndërkohë 62-vjeçari, është vënë në pranga nga Policia e Shtetit dhe dyshohet se ai ka probleme të shëndetit mendor, ndaj edhe ka kryer aktin makabër të vrasjes me thikë të të ëmës së tij 88-vjeçare.
Lezhë/Informacion paraprak
Rreth orës 14:30, shtetasi A. D., 62 vjeç, banues në lagjen “Besëlidhja” (dyshohet shtetas me probleme të shëndetit mendor), ka vrarë me mjet prerës (thikë), nënën e tij, shtetasen Gj. D., 88 vjeçe. Shërbimet e Policisë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin A. D. dhe kanë sekuestruar mjetin prerës (thikë), me të cilin është kryer vrasja. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendngjarje për të sqaruar dhe dokumentuar me prova ligjore rrethanat e rastit./ZËRI