
FIER- Do të përcillet sot për në banesën e fundit, efektivi i forcave Shqiponja Novruz Cenalia, i cili u vra dy ditë më parë në fshatin Baltëz të Fierit, teksa ishte duke shkuar për të marrë shërbimin. Kur kanë kaluar pothuajse 48 orë nga ngjarja e rëndë, autori i vrasjes Azgan Mernica vijon të jetë ende në arrati, ndërsa kërkimet e policisë janë zhvendosur drejt Gjirokastrës, kur raportohet se është parë 23-vjeçari.
Por pavarësisht sinjaleve, se një person që kishte ngjashmëri të mëdha fizike me të vrasësit ishte parë në Gjirokastër, asnjë e dhënë tjetër nuk ka çuar në lokalizimin e tij.
Policia pretendon se Azgan Mërnica nuk ka dalë nga asnjë kufi shtetëror, duke iu referuar sistemit TIMS, ndonëse kalimet për në Greqi në fakt bëhen edhe jashtë pikave doganore e jo në një kalim të vetëm po nëpërmjet disa shtigjesh të shumta.
Grupi hetimor nka dyshime se Mernica mund të jetë fshehur në ndonjë banesë të braktisur në zonën mes Fierit dhe Gjirokastrës, por sa më shumë kalon koha, aq më shumë ulen shanset që 23-vjeçari të mund të lokalizohet.
Sipas dëshmisë që ka dhënë nëna e të riut, e cila ka qenë dëshmitare e vrasjes, djali e ka lënë atë në shtëpinë e vëllait të saj, duke braktisur makinën, dhe duke u larguar më pas me këmbë. Edhe nga të tjerë të afërm të Mernicës të cilët janë marrë në pyetje, nuk është bërë e mundur që të arrihet te 23-vjeçari, i cili ndodhet në arrati.
Novruz Cenalia do të përcillet ditën e sotme për në banesën e fundit ndërsa në orën 10:00 do të bëhen homazhe në nder të tij.
“Drejtoria Vendore e Policisë Fier, ju informon se më datë 15.05.2024, në orën 10:00, në Kinoteatrin e qytetit të Fierit, zhvillohet ceremonia homazh në përkujtim dhe mirënjohje të kolegut tonë që ndërroi jetë në moshën 28-vjeçare, Nevruz Cenalia”, thuhet në njoftimin e policies së Fierit.
/ZËRI