
TIRANË- Policia e Shtetit ka reaguar këtë të dielë pas akuzave të bëra nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Rithemelimit Flamur Noka, se një efektiv i policisë ka dhunuar protestuesit para Bashkisë së Tiranës gjatë protestës dhe se ai ishte i dënuar në Itali për ndihmë të autorit të ngjarjes. Përmes një reagimi Policia sqaron se efektivi Ervin Zela është i datëlindjes 07.11.2000 dhe se është bërë pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit në janar të vitit 2022, pasi ka mbaruar kursin për Patrullë të Përgjithshme, në Kolegjin e Policisë, pranë Akademisë së Sigurisë.
Më tej Policia shton se shkrimi i publikuar në mediat italiane i referohet ngjarjes së ndodhur në vitin 2008, dhe në atë kohë punonjësi i Policisë, shtetasi Ervin Zela ka qenë 8 vjeç.
NJOFTIMI I POLICISË:
Reagim i Policisë së Shtetit. Në lidhje me një lajm të publikuar në disa portale për një punonjës Policie, sqarojmë opinionin publik se pas verifikimeve të kryera, lajmi i publikuar është i pavërtetë. Shtetasi E. F. Z., i datëlindjes 07.11.2000, është bërë pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit në janar të vitit 2022, pasi ka mbaruar kursin për Patrullë të Përgjithshme, në Kolegjin e Policisë, pranë Akademisë së Sigurisë. Shkrimi i publikuar në mediat italiane i referohet ngjarjes së ndodhur në vitin 2008, dhe në atë kohë punonjësi i Policisë, shtetasi E. F. Z., ka qenë 8 vjeç. Publikime të tilla dashakeqe dhe të pavërteta, cenojnë imazhin e punonjësit të Policisë dhe të Organizatës së Policisë. Drejtoria për Marrëdhëniet me Publikun dhe Mediat.
POSTIMI I NOKËS:
Gjykata e shkallës së tretë në Itali e ka dënuar në mungesë me 12 vjet heqje lirie për ndihmën që i ka dhënë vrasësit të një sipërmarrësi italian, por Ervin Zela është veshur polic në Shqipëri, ku i shërben me zell narkoshtetit duke dhunuar protestuesit. Ervin Zela është polici që dhunoi qytetarët në protestën para bashkisë, si shkëmbim "nderesh" për rekrutimin dhe strehimin e tij në radhët e bluve. Uniforma e Policisë së Shtetit po vishet nga kriminelë, kundravajtës e shkelës të ligjit, me synimin për t'ua vërsulur opozitës dhe qytetarëve kur protestojnë kundër korrupsionit e taksavjedhësve si Erion Veliaj. Burime nga shtypi italian bëjnë të ditur se Ervin Zela është dënuar me 12 vjet burgim për bashkëpunimin e tij me vrasësit e shtetasit italian në vitin 2008. Kjo CV kriminale i mjafton Narkorilindjes për t'i dhënë pushtetin e dhunës mbi shqiptarët. Vetëm largimi i kryebandës mund ta shpëtojë shtetin nga kapitullimi ndaj krimit./ZËRI
View this post on Instagram