
KËLCYRË- Një aksident tragjik ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm (2 prill) në Këlcyrë, ndërsa pas disa orësh policia ka arritur që të identifikojë personin që ishte në drejtimin e mjetit. Ai është shtetasi Edison Bregaj, nga qyteti i Shkodrës, ndërsa mjeti tip “Benz” ishte marrë me qira prej tij.
Mjeti i cili po transportonte 7 klandestinë, përfundoi në shtratin lumit Vjosë, ku si pasojë humbën jetën të gjithë, përfshirë edhe shoferin Bregaj.
Mjeti u pikas nga një patrullë policie, e cila i ka bërë thirrje të ndalojë, por Bregaj ka refuzuar t’i bindet urdhrit të policisë duke shtuar shpejtësinë.
Efektivët i janë vendosur në ndjekje, por më pas u ka humbur nga sytë. Pas shumë kontrolleve u verifikua rreth orës 04:00 se ‘Benz’-i kishte përfunduar në shtratin e lumit Vjosë.
Drejtuesi i mjetit raportohet se ka qenë duke udhëtuar me mbi 200 km/orë, duke bërë që të humbiste kontrollin dhe të “fluturonte” rreth 300 metër në vijë ajrore nga rruga drejt lumit.
Shpejtësia e lartë e mjetit konfirmohet edhe nga fakti se para momentit fatal ‘Benz’-i që drejtohej nga një Edison Bregaj, nuk është përplasur fare me bordurën metalike të rrugës, por ka përfunduar në shtratin e lumit.
Sa i përket shtatë emigrantëve, ende nuk ka informacion për indentitetin e tyre.
NJOFTIMI I POLICISË:
Në vijim të informacionit paraparak të dhënë për aksidentin e ndodhur në aksin rrugor “Këlcyrë-Përmet”, në afërsi të fshatit Kuqar, si pasojë e të cilit humbën jetën 8 shtetas (drejtuesi i automjetit dhe 7 shtetas që dyshohet se janë nga Vendet e Treta), ju informojmë se nga verifikimet e kryera dyshohet se drejtuesi i këtij automjeti është shtetasi E. B., 24 vjeç, banues në Shkodër.
Gjithashtu, nga verifikimet e kryera rezulton se automjeti tip "Benz" që drejtonte shtetasi E. B. është marrë me qira në qytetin e Shkodrës, nga shtetasi A. Gj., 26 vjeç.
Policia e Shkodrës ka shoqëruar në Komisariat, shtetasin A. Gj., për ta marrë në pyetje për rastin.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
/ZËRI