VLORË- Hetimet e Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për çështjen e pronave në Zvërnec kanë kaluar në një fazë të re. Mësohet se SPAK ka ushtruar kontrolle ndaj disa punonjësve të Hipotekës së Vlorës.
Burime bëjnë me dije se në qendër të hetimeve janë katër zyrtarë: Rembrand Dine, Vanessa Bylo, Ergyst Skenderi dhe Reinard Metaj.
Sipas VoxNews.al, kontrollet lidhen me dosjen që SPAK po heton prej disa kohësh mbi procedurat e regjistrimit dhe administrimit të pronave në zonën e Zvërnecit. Në qendër të verifikimeve janë transaksionet e dyshuara të tokave, si edhe mënyra e përfitimit të tyre nga individë dhe kompani që dyshohet se kanë vepruar përmes një skeme të organizuar.
Po ashtu, pjesë e hetimit janë edhe procedurat që lidhen me projektet për ndërtimin e resorteve turistike në këtë zonë të mbrojtur.
Megjithatë, ende nuk një njoftim zyrtar nga SPAK për operacionin, ndërsa mbetet e paqartë se cilat janë konkretisht akuzat që po verifikohen ndaj personave të përfshirë në hetim./ZËRI