TIRANË- Një e-mail me përmbajtje kërcënuese u është dërguar rreth 150 adresave elektronike të institucioneve në Shqipëri, gjatë ditës së sotme. Sipas mesazhit, pretendohet se në ndërtesat e institucioneve është vendosur një mjet shpërthyes, i cili do të aktivizohej pas një ore.
Dërguesi prezantohet si “udhëheqësi i milicisë serbe” dhe përmes mesazhit kërcënon me sulme ndaj shqiptarëve. Në mesazhin kërcënues, dërguesi shprehet se sulmet sipas tij, do të vazhdojnë deri sa Kosova të njihet si tokë serbe.
"Përshëndetje. Jam udhëheqësi i Milicisë Serbe. Kemi ardhur të hakmerremi ndaj jush. Sapo kam vendosur personalisht një mjet shpërthyes në ndërtesën tuaj. Shpërthimi do të ndodhë pas një ore. Nga ju do të mbeten vetëm copa mishi. Do të vrasim shqiptarë derisa ta njihni Kosovën si territor të Serbisë. FAT TË MBARË”, shkruhet në e-mail.
Ndërkohë, pas marrjes së mesazhit, ka reaguar edhe Policia e Shtetit e cila bën me dije se janë nisur menjëherë verifikimet. Sipas policisë, deri tani nuk është identifikuar asnjë rast i vendosjes së lëndëve shpërthyese.
Njoftimi i Policisë:
Në adresat elektronike zyrtare të disa institucioneve shtetërore është dërguar një mesazh kërcënues, në të cilin pretendohet për vendosjen e lënde shpërthyese në ambientet e tyre.
Policia e Shtetit ka nisur menjëherë verifikimet. Deri tani, nuk është evidentuar asnjë rast i vendosjes së lëndëve shpërthyese.
Nën drejtimin e Prokurorisë, strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit vijojnë punën për identifikimin e burimit të mesazhit./ZËRI