Aktualitet

Faik Ajdini u vra për një gardh! Policia shpall në kërkim autorin kryesor, në pranga bashkëpunëtorët e tij

Policia e Gjirokastrës bën me dije se ka vënë në pranga dy persona në lidhje me vrasjen e 72 vjeçarit Faik Ajdini

E.K
Faik Ajdini u vra për një gardh! Policia shpall në kërkim
Viktima Faik Ajdini

MEMALIAJ- Policia dhe Prokuroria e Gjirokastrës, kanë zbardhur vrasjen e ndodhur dy ditë më parë në Memaliaj, ku trupi i pajetë i 72-vjeçarit Faik Ajdini, u gjet në një humnerë, me disa plagë që i ishin shkaktuar nga mjete prerëse.

Pas një pune hetimore, dhe dëshmive të mbledhura në terre, hetuesit kanë arritur në përfundimin se vrasësi i Ajdinit është shtetasi Berti Kanushi, i cili është shpallur në kërkim, teksa bashkëpunëtorët e tij Skënder e Bledar Hajdini janë arrestuar nga ana e policisë.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një sherri për motive pronësie, pasi viktima dhe autori kanë qenë fqinj mes tyre.

Berti Kanushi dyshohet se ka kryer vrasjen e 72 vjeçarit për një gardh në territorin që kufizonin banesat e tyre. Konfliktet kanë nisur në mënyrë verbale dhe kulmuan me vrasjen e 72 vjeçarit me sëpatë. Pas vrasjes Berti Kanushi ka kërkuar ndihmën e Skënder e Bledar Ajdinit (babë e bir) për ta hedhur trupin në humnerë dhe fshehur vrasjen. Kjo i ka shndërruar ata bashkëpunëtorë në krim, dhe i ka çuar në pranga gjatë ditës së djeshme.

Policia e Gjirokastrës përmes metodave speciale ka arritur të zbulojë të gjithë dinamikën dhe autorësinë e krimit. Berti Kanushi është larguar nga vendi i krimit në drejtim të paditur dhe është shpallur në kërkim. Familjarët e Ajdinit kishin denoncuar dy ditë më parë në polici, humbjen e kontakteve me të afërmin e tyre. Pas nisjes së hetimeve dhe kërkimeve nga ana e policisë, trupi i 72-vjeçarit u gjet në një greminë, me plagë të shkaktuar nga mjete prerëse.

NJOFTIMI I POLICISË:

Vijojnë intensivisht hetimet për të zbardhur vrasjen e shtetasit F. A, si dhe për të dokumentuar me prova ligjore e nxjerrë përpara përgjegjësisë penale të gjithë personat e implikuar në këtë rast.

Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, të kryera nga grupi i posaçëm hetimor dhe të drejtuara nga Prokuroria e Gjirokastrës me prokurorin e çështjes Bledar Bala, vihen në pranga 2 shtetas, babë e bir.

Njëri nga të arrestuarit, bashkëpunëtor për kryerjen e vrasjes, ndërsa djali i tij ka përkrahur autorin e krimit.

Ndërkaq, vijon intensivisht puna për vënien në pranga të autorit tjetër të vrasjes, i cili u identifikua që dje nga Policia, por për shkak të sekretit hetimor, nuk bëhen të ditura gjenealitetet e tij.

Në vijim të veprimeve profesionale dhe të shpejta hetimore, të kryera nga një grup i posaçëm hetimor, menjëherë pas gjetjes së trupit të pajetë të shtetasit F. A., 72 vjeç, rreth orës 06:40, të datës 20.08.2024, në përroin e fshatit Zhapokikë, shtetas i cili dyshohet se është vrarë me mjet prerës, Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër arrestoi në flagrancë shtetasit:

-S. A., 71 vjeç, banues në fshatin Zhapokikë 2, për veprat penale "Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, "Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje" dhe "Përkrahja e autorit të krimit";
-B. A., 43 vjeç, banues në fshatin Zhapokikë 2, për veprën penale "Përkrahja e autorit të krimit".

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 71-vjeçari ka organizuar dhe ka qenë aktiv në bashkëpunim me autorin tjetër në vrasje si dhe ka ndihmuar autorin e vrasjes, duke i siguruar kushte për të kryer këtë krim, ndërsa 43-vjeçari, duke mos kallëzuar këtë krim për të cilin dyshohet se kishte dijeni, ka përkrahur autorin.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme. /ZËRI

Poll

MOS HUMB