
MEMALIAJ- Në mëngjesin e sotëm u gjet i vdekur një i moshuar në përrua në fshatin Zhapokikë 2, në Memaliaj nga familjarët e tij. Viktima i identifikuar si Faik Ajdini, 72 vjeç, mësohet se është vrarë dhe më pas është hedhur në përrua.
Sipas detajeve të para, ai është goditur dy herë në kokë dhe në qafë me mjet prerës. Trupi i të ndjerit ende nuk është lëvizur nga vendngjarja derisa të mbarojnë ekzaminimet. Sipas pistës fillestare, Faik Ajdini është qëlluar për vdekje dhe për të humbur gjurmët, vrasësi e ka hedhur në humnerë.
Faik Ajdini u raportua si i zhdukur nga familjarët e tij pasi kishin humbur kontaktin me të prej ditësh. Deri më tani, nuk ka asnjë të arrestuar për këtë ngjarje të rëndë ndërsa policia ka nisur hetimet.
Kjo është vrasja e 6-të që ka tronditur vendin tonë në 24 orë. Fillimisht Tirana u trondit mesditën e djeshme nga plagosja e rëndë, ku efektivi i policisë Erjon Goxhara, plagosi me 6 plumba drejtorin e ERE-s Lorenc Kostën. Ndërsa në mbrëmje në Velipojë mbetën të vrarë Ersild Ishmi, 33 vjeç dhe Arsid Hoxha, 22 vjeç, të cilët kishin lidhje familjare mes tyre. Autorët e masakrës së rëndë janë vëllezërit Eduart dhe Gëzim Frroku, të cilët pas krimit të rëndë janë larguar nga vendi i ngjarjes. Pas raportimit të rëndë në Velipojë, krimi në familje trondit Tiranën, ku mësuesi amerikan Matthew James Wertz vari në litar gruan e tij, vrau dy qentë dhe më pas veten. Ndërkohë që në orët e para të mëngjesit të sotëm gjendet i vdekur nga vajza e tij 68-vjeçari Frederi Radi. Sipas policisë ai u qëllua me plumb në kokë teksa po flinte. Shkak dyshohet të jetë një sherr me bashkëfshatarët e tij për kullotat, të cilat ai shkonte dhe i ruante çdo verë. Krimi trondit sërish vendin kësaj radhe në Memaliaj, ku 72 vjeçari, Faik Ajdini gjendet i vdekur në një përrua. Ai është qëlluar me mjet prerës dy herë në kokë dhe në qafë, më pas është hedhur në përrua. /ZËRI