SHKODËR- Fasli Hyka nuk e ka duruar dot festën e të rinjëve që ishin mbledhur poshtë banesës së tij. Ndaj, me çifte në dorë, 83-vjeçari ka dalë në ballkonin e banesës dhe nuk i ka kursyer plumbat duke terrorizuar kështu banorët në lagjen 'Rus' në Shkodër. Rreth mesnatës, ai ka dalë në ballkonin e katit të katërt dhe u ka rrezikuar jetën të rinjëve (fatmirësisht asnjë s'u lëndua), por nuk u mjaftua me kaq. Me t'u njoftuar Policia e Shtetit, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë i zbarkuan në derë, por Fasli Hyka u bëri edhe atyre rezistencë, duke u rrezikuar jetën.
Efektivët i bënë thirrje disa herë të dorëzohet por 83-vjeçari Fasli Hyka u izolua në banesë dhe nuk dilte prej aty. Kështu që u desh të mendohej një mënyrë alternative për ta neutralizuar. Forcat Kombëtare të Sigurisë u futën nga ballkoni dhe hodhën një zhurmuese duke arritur ta neutralizojnë pas 3 orësh që negocionin me të. Madje Policia ka publikuar pamje kur disa herë i bënte thirrje për t'u dorëzuar, por nga brenda banesës i moshuari mbushte çiften dhe kërcënonte policët, duke u thënë: Ikni se do ju vras!
Ka qenë djali i të moshuarit ai që ka tentuar ta bindë të atin që të dorëzohej, por 83-vjeçari u vu në pranga vetëm pas ndërhyrjes së FNSH nga ballkoni i banesës. Megjithatë fatmirësisht u neutralizua pa iu rrezikuar jetë.
83-vjeçarit, pas arrestimit, iu gjet çiftja dhe një armë tjetër kallashnikov. Çiften i moshuari e kishte me leje deri në vitin 2012, por edhe pse i kishte mbaruar sërish nuk e kishte hequr nga arsenali i tij. 83-vjecari jetonte vetëm me bashkëshorten, ndërsa fëmijët janë të martuar. E shoqja, sot ka folur për mediat dhe ka zbuluar se gjatë kohës së diktaturës Fasli Hyka ka punuar në sigurimin e shtetit si agjent vullnetar. Po ashtu, shtoi se aktualisht i shoqi vuante nga probleme të shëndetit mendor, fakt ky që pritet të vërtetohet.
"Njoftoi policinë, i tha hajde se kanë ardhur njerëz të panjohur. Po bënin zhurmë dhe nuk e lejonin të flinte. Zhurma se lejon të flejë për shkak të shqetësimeve shëndetësore që ka. Njërin sy e ka operuar, jemi pensionistë. Çiften e ka me leje. Automatikun e ka gjetur. Ai doli bërtiti, lajmëroi edhe policinë. Erdhi policia, nuk e dimë nëse e kanë sharë të rinjtë apo policia. Në ato nerva i gjuajti me çifte. Ai i kërkoi policisë që të prisnin deri në mëngjes, vij vetë dhe ju tregoj si ishte e vërteta. Drejtori i policisë i tha hajdeni tani, ndërsa ky i tha në mëngjes më caktoni orën dhe vij vetë në polici. Pse u ngutën ta merrnin natën, nuk ishe nevoja ta merrnin natën. Nuk jemi gjakpirësia, jemi njerëz që duam qetësinë sepse kemi moshën. Ka sëmundjen që nuk e duron zhurmën”-u shpreh bashkëshortja e Fasli Hykës.
Vetë 83-vjeçari ka pretenduar se është bezdisur nga muzika e lartë dhe zhurma, ndaj edhe qëlloi, por sërish pritet që të përballet me drejtësinë. Edhe pse mund t'i shmanget burgut për shkak të moshës, Gjykata e Shkodrës do të mendojë për të një tjetër formë "shtrëngimi'./ZËRI