
SHKODËR- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë natës në Shkodër, ku një i moshuar ka qëlluar me breshëri arme në drejtim të 3 të rinjve në lagjen Rus. Fatmirësisht të rinjtë kanë shpëtuar pa lëndime, ndërkohë që ka pasur dëmtim të një makine të parkuar. Fasli Hyka është vënë në prangat e policisë pas 3 orësh negociata me FNSH për dorëzimin e tij. I moshuari, që dyshohet se ka qenë nën efektin e alkoolit ka qëlluar nga kati i pestë i banesës së tij.
Edhe pas mbërritjes së policies ai ka refuzuar të dorëzohej, duke iu thënë policëve “ikni se do ju vras”.
Ka qenë djali i të moshuarit ai që ka tentuar ta bindë të moshuarin që të dorëzohej, por 83-vjeccari u vu në panga vetëm pas ndërhyrjes së FNSH nga ballkoni i banesës. Atij iu gjet në banesë një armë gjahu, si dhe një kallashnikov, ndërsa siç shihet dhe nga pamjet, në operacion për kapjen e tij kanë marrë pjesë dhjetëra efektivë.
NJOFTIMI I POLICISË:
Qëlloi në mesnatë, me armë gjahu, nga ballkoni i banesës së tij, duke rrezikuar jetën e kalimtarëve në rrugë dhe dëmtoi një automjet të parkuar, vihet në pranga 83-vjeçari. Gjatë ndërhyrjes së Policisë, 83-vjeçari kërcënoi me armë zjarri kallashnikov, për t’i vrarë, punonjësit e Policisë. Me ndërhyrjen e specializuar të Forcave Kombëtare të Sigurisë Shkodër, u bë i mundur neutralizimi dhe venia në pranga e 83-vjeçarit. Në banesën e të arrestuarit, Policia sekuestroi 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu dhe municion luftarak.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër kanë konstatuar në mesnatë, se një shtetas po qëllonte me armë gjahu, nga ballkoni i banesës së tij në një pallat në lagjen “Partizani”, në drejtim të automjeteve të parkuara. Menjëherë u organizua puna, u bë rrethimi i zonës për të mos kaluar automjete dhe kembësorë, si dhe iu bë thirrje autorit, të mos qëllonte dhe të dorëzohej.
Autori nuk iu është bindur thirrjeve të Policisë, por është futur në banesë, ka mbyllur derën dhe ka kërcënuar për vrasje, punonjësit e Policisë, në rast se do të futeshin në banesë. Ndodhur në keto kushte, në ndihmë të Policisë vendore, kanë shkuar Forcat Kombëtare të Sigurisë. Pas ndërhyrjes së specializuar kanë bërë të mundur neutralizimin dhe vënien në pranga të shtetasit F. H., 83 vjeç, banues në Shkodër. Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë sekuestruan 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu dhe municion luftarak. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme. /ZËRI