KAKAVIJË- Fundjava e fundit e vitit 2025 dhe 2 ditë larg nga nata e ndërrimit të viteve, dogana e Kakavijës ka regjistruar shifra rekord lëvizjesh hyrje-dalje në kufi. Mësohet se gjatë fundjavës kanë kaluar në sportele hyrje-dalje rreth 20 mijë persona dhe 6 mijë automjete.
Ndërkohë, vetëm në 24 orët e fundit nga kjo doganë kanë kaluar 9319 shtetas në hyrje-dalje, nga të cilët 5391 në hyrje dhe 3928 në dalje, si dhe 3036 mjete në hyrje-dalje, nga të cilat 1596 në hyrje dhe 1440 në dalje. Në total, sipas të dhënave zyrtare mbi 100 mijë persona të cilët kanë lëvizur në kufirin me Greqinë në këto ditë të festave të fundvitit, shifër kjo më e lartë krahasuar me vitin e kaluar.
Lidhur me fluksin e lartë gjatë kësaj periudhe, policia Kufitare ka marrë masat për shtimin e sporteleve të kontrollit të dokumentave ndërsa në fundjavë nuk u regjistruan radhë të gjata pritje në tokën greke.
Pjesa më e madhe e personave që lëvizin në kufi janë bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, të cilët kthehen për të kaluar festat tek të afërmit në vendlindje. Por, nuk është i ulët as fluksi i personave që udhëtojnë për të kaluar festat e fundvitit në shtetin grek./ZËRI