TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka vendosur mosfillim të dosjes penale për rrëmbimin e ish-drejtorit të AKSHI-t, Daniel Shima, referimi penal i Komisariatit Nr.1, që u regjistrua në muajin Gusht 2025. Bëhet me dije se Prokuroria e Tiranës mori këtë vendim pas një seri veprimesh hetimore, që nga këqyrja e pamjeve filmike, marrja në pyetje 3 herë e Daniel Shimës, të të fejuarës së tij avokate, 2 herë të nënës së tij dhe është arritur në konkluzionin se Shima ishte larguar me dëshirën e tij nga banesa pa u ndikuar nga askush.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se SPAK nuk ka shfaqur asnjë interes për këtë çështje dhe as të marrë ndonjë deklarim të Daniel Shimës. Madje, në dosjen e mosfillimit të hetimeve, është dhe një kthim përgjigje e titullarit, Altin Dumani, i cili informonte grupin e hetimit në prokurorinë e Tiranës se ndaj Daniel Shimës, nuk kishte asnjë hetim në SPAK.
Daniel Shima është marrë në pyetje 3 herë, një herë në ambientet e Komisariatit Nr.1 në Tiranë dhe dy herë në ambientet e prokurorisë së kryeqytetit, teksa në të treja rastet ka mbajtur të njëjtin qëndrim. Ai ka pohur se "zhdukja" e tij ka qenë me dëshirë dhe nuk është ndikuar nga rrethana të tjera të kryera forcërisht nga persona të tretë.
“...Mos më thërrisni më për të më pyetur...”, mësohet t’i ketë thënë Daniel Shima, oficerit të prokurorisë që po kryente veprime hetimore rreth rastit të tij për largimin nga banesa në datën 20 Gusht 2025.
Ndërkohë përmbajtjen e SMS-së me tekst: “...po më arrestojnë...” që ja ka dërguar të fejuarës së tij, Daniel Shima, e ka shpjeguar në prokurori se gjithçka ka ndodhur në kushtet e gjendjes emocionale për shkak të një konflikti të momentin që ka pasur me bashkëjetuesen.
Po ashtu, edhe e fejuara e tij është marrë në pyetje 3 herë. Dëshmia e saj ka qenë e njëjtë me atë të Shimës. Ndërsa, e ëma e Daniel Shimës ka dëshmuar para hetuesve se ka qenë vetë ai i cili e ka inskenuar pengmarrjen, për shkak të një konflikti në çift. Sipas dëshmisë së saj, tashmë çifti është pajtuar dhe jetojnë bashkë.
Ndërkohë nga këqyrjet e disa pamjeve filmike të sekuestruara në disa biznese, është parë që Daniel Shima, ndodhet i vetëm në makinën e tij. Një kamerë e instaluar tek zona e rreth-rrotullimit të Fakultetit Ekonomik në rrugën e Elbasanit, ka filmuar qartë se Shima ka qenë i vetëm dhe i pashoqëruar nga askush. Ky moment është fiksuar disa minuta pasi Shima i kishte dërguar bashkëjetueses mesazhin: ”...po më arrestojnë...”, gjë e cila sipas prokurorisë së Tiranës, ai ka shkëputur vetë lidhjet dhe nuk është marrë forcërisht dhe pa dëshirën e tij nga persona të tjerë.
Por çfarë ndodhi
Ish-zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Daniel Shima, u denoncua i humbur nga familjarët e tij mbrëmjen e djeshme (20 gusht). E gjithë ngjarja ndodhi në mes të kryeqytetit, ku mësohet se Shima ishte nisur për të marrë partneren tij, e cila jeton te Liqeni i Thatë. Në këtë moment, Shima i ka thënë se është ndaluar nga policia dhe është arrestuar. Pas këtij momenti, nuk dihej më asnjë informacion për fatin e tij, derisa u rikthye vetë.
“ZËRI” e ka ndjekur që prej momentit të parë denoncimin për humbjen e kontakteve të Shimës me familjen. Partnerja bashkë me të ëmën e tij kanë nisur të pyesin nëpër komisariate se ku ndodhej Daniel Shima. Atje kanë mësuar se ai nuk është arrestuar e as ndaluar nga Policia. Në këtë moment është bërë denoncimi, rreth orës 17:00 dhe nisja e verifikimit nga strukturat e hetimit pranë Komisariatit nr.1 të Policisë. Gjatë verifikimit janë parë kamerat e sigurisë ku është verifikuar se Shima ka kaluar në Qytet Studenti e më pas është ndjekur deri në dalje të tunelit të rrugës Tiranë-Elbasan.
Burime për ZËRI bëjnë me dije se që pas largimit nga AKSHI, Daniel Shima ka nisur të investojë shuma shumë të mëdha me para në disa biznese. Po të njëjtat burime bëjnë me dije se ai ka kërkuar para me fajde në disa pika të njohura në Shqipëri. Pikëpyetjet e ngritua pritet të marrin përgjigje nga kontrolli i telefonit të tij./ZËRI