
TIRANË- Armando Ndreca, vëllai i deputetit socialist Eduart Ndreca u ndalua si i përfshirë në kultivimin e kanabisit pas aksionit të Policisë së Shtetit në pyjet e Kashnjetit.
Por kush është 32-vjeçari Ndreca?
Armando Ndreca rezulton i punësuar pranë Drejtorisë Rajonale të Hetimit Tatimor në Shkodër. Kjo nuk është hera e parë që familja Ndreca lakohet për arrestime apo që është kryefjalë e aksioneve të Policisë së Shtetit.
Dy vite më parë, vjehrri i Armando Ndrecës, Ramiz Nikdukaj u vu në pranga bashkë me dy persona të tjerë, Bashkim Kovaci 64 vjeç dhe Altion Luli 43 vjeç, të cilët u kapën gjatë operacionit “Syri i sheganit” në një shtëpi Bari në Koplik.
Në vitin 2022, në banesën e shtetasit Nikdukaj u gjet një ambient i përshtatur për kultivim të narkotikëve, ku u sekuestruan 22 kg kanabis dhe 455 bimë të kultivuara në ambient me llamba, si dhe 245 bimë të mbjella në oborr.
Në atë kohë, djali i Ramiz Nikdukajt, njëkohësisht edhe kunati i Armando Ndrecës, Armel Nikdukaj, u arratis, por sot u prangos bashkë me vëllain e deputetit socialist dhe shokun e tij, Elvis Shpellzai 28 vjeç. Ai është ‘tradhëtuar’ nga një telefonatë që ka zhvilluar me kunatin e tij, e cila është përgjuar nga autoritetet.
Vetë Armando Ndreca nuk dihet se çfarë roli ka pasur konkretisht në kultivimin e kanabisit. Në dëshminë e dhënë para policisë, Ndreca është shprehur se nuk ka lidhje me drogën e mbjellë.
Nga një vëzhgim në profilin e Armando Ndrecës në rrjetet sociale, vihet re se vëllai i deputetit bënte një jetë mes udhëtimeve në Dubai, shëtitjeve me deve dhe kazinove në Monte Carlo apo restorte të ndryshme.



