
TIRANE- Mbërritja në Shqipëri e Plarent Dervishajt dhe Julian Meçes ishte rezervuar si një "surprizë" nga Policia Shqiptare, ditën që rrjetet sociale ziejnë nga polemika për hetimin dhe rolin që Policia kishte në zbardhjen e vrasjes së 42-vjeçarit Egli Proga nga Denis Meçe. Por "surpriza" u shty, e bashkë me të edhe prezantimi që u njoftua më herët nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë. Ardhja në Shqipëri e Dervishajt dhe Meçes nga Dubai ku ata qëndruan prej më shumë se 3 vite spikat edhe për ndryshimin drastik të tyre.
Në imazhet e publikuara edhe nga ZËRI, bie në sy humbja në peshë e Dervishajt, thinjat e shtuara me kalimin e moshës e po ashtu edhe rënia e flokëve. Nëse krahasojmë imazhet e dala më herët në media, ndryshimi është i dukshëm.



E njëjta gjë edhe për Julian Meçen, i cili i ka shtuar look-ut të tij edhe syze optike. Të dy tashmë ndodhen në DVP Tiranë, nga ku pritet ti dorëzohen SPAK.
Çfarë i pret në Shqipëri? Julian Meçe, ish-anëtari i bandës së Durrësit akuzohet bashkë me Plarent Dervishajn se janë porositësit e atentatit të ndodhur më 1 nëntor 2019 ndaj tashmë ish-prokurorit të Durrsësit, Arian Ndoj. Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zbuloi se "porosinë" për të hequr qafe ish-hetuesin, Dervishaj ia besoi Ramazan Rrajës, i cili në bashkëpunim me Arjol Halilaj kryen atentatin që viktimën e vetme pati shoferin e Ndojt, Andi Malokun.
Për këtë ngjarje është dënuar me burgim të përjetshëm, Redjan Rraja, ndërsa për Halilajn 35 vite burg. Por edhe pse në burg, të dy kanë marrë "sinjale" nga jashtë. Prokuroria e Posaçme thotë se ka rezultuar e provuar se Dervishaj, së bashku me persona të tjerë të grupit të tij, janë angazhuar për lehtësimin e pozitës së personave të arrestuar, por kundrejt garancisë që nuk do t'i përmendnin kurrë emrat e porositësve, pra të Dervishajt dhe të tjerëve.
Por mbi Dervishajn dhe Meçen rëndojnë edhe akuza të tjera. Plarent Dervishaj u arrestua bashkë me Meçen në Dubai pas rrëfimit të të penduarit të drejtësisë Luftar Reçi. Ky i fundit e akuzoi për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe të Klodian Saliut. Por më pas, SPAK ia hoqi akuzat, duke pretenduar se porosinë e kishte bërë një shtetas nga Maqedonia e Veriut. Dervishaj është edhe kunati i Lulzim Berishës, për të cilin po ashtu sot është vendosur ekstradimi në Shqipëri. Prej kohësh, Lul Berisha fshihej në Alicante.
Më 20 qershor të 2019 Julian Meçajt dhe Dervishajt iu bë një atentat në autostradën Tiranë-Durrës, ku si pasojë mbetën të plagosur të dy. Ngjarja ndodhi në zonën e ish-kënetës, pranë mbikalimit të Shkozetit, në Durrës, ku dy të plagosurit ishin duke hipur në makinën e Dervishajt. Meçaj mori tre plumba në trup, ndërsa Plarent Dervishaj morri një plumb në këmbë. Brenda makinës tip Range Rover ishte edhe Bashkim Haxhia, mik i tyre, i vetmi i arrestuar për këtë ngjarje pasi akuzohet se iu kundërpërgjigj me armë në drejtim të autorëve./ZËRI