Aktualitet

Vrasja e Egli Progës, Gjykata: Akuzën e ndryshoi prokuroria, jemi shqetësuar nga denigrimi i mediave

Gjykata sqaron se në këtë fazë ku ndodhet hetimi, ky institucion nuk mund të ndërhyjë për të kërkuar një akuzë më të rëndë për autorin e krimit

f.g
Vrasja e Egli Progës, Gjykata: Akuzën e ndryshoi prokuroria, jemi
Foto ilustruese

KORCE- Gjykata e Korçës ka reaguar në lidhje me gjykimin e Denis Meçen, i arrestuar për vrasjen e Egli Progit, të cilit dje Prokuroria i ndryshoi akuzën nga "Vrasje me dashje" në "Vrasje nga pakujdesia". është pikërisht ky detaj që ka nxitur zemërim në mijëra qytetarë në rrjetet sociale duke bërë që sytë të kthehen nga drejtësia dhe organet e zbatimit të ligjit. Gjykata sqaron se në këtë fazë ku ndodhet hetimi, ky institucion nuk mund të ndërhyjë për të kërkuar një akuzë më të rëndë për autorin e krimit, ndërkohë që shpreh shqetësimin për raportimet në media. 

REAGIMI I PLOTË: 

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, nisur nga rëndësia e ngjarjes dhe duke marrë shkas nga publikimet në median e shkruar dhe atë vizive, si dhe nga lajmet e publikuara në rrjetet sociale dhe portale të ndryshme për ngjarjen e ndodhur në qytetin e Pogradecit, në të cilën ka humbur jetën shtetasi Eglantin Proga, bën me dije sa më poshtë:

Në datë 12 gusht 2024, ora 15:30, nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë është paraqitur pranë kësaj gjykate kërkesa për vleftësimin e arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal "arrest në burg" ndaj shtetasit D. M, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale "Vrasja nga pakujdesia", parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal dhe vleftësimin e arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal "Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore" ndaj shtetasve V. Sh, A. M dhe L.G si të dyshuar për veprën penale "Moskallëzimi i krimit", parashikuar nga 300 i Kodit Penal.
Pasi ka vlerësuar kërkesën e prokurorisë dhe përmbajtjen e akteve të veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë të hetimit, gjykata ka vendosur pranimin e kërkesës, duke e vlerësuar atë si të bazuar në ligj dhe në prova.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë nënvizon se në këtë fazë të procesit penal, në shqyrtimin e kërkesave për caktimin e masave të sigurimit personal, gjyqtari i hetimeve paraprake nuk mund të bëjë ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale për të cilën procedohet personi nën hetim dhe as të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar.

Përcaktimi i plotë dhe saktë i rrethanave të faktit dhe përgjegjesisë penale të secilit person të përfshirë, i takon vijimit të hetimeve. Në përfundim të hetimeve, është gjyqtari i seancës paraprake i cili vlerëson plotësinë e tyre dhe cilësimin juridik të veprës penale.

Për këtë arsye, nxjerrja e përfundimeve në këtë fazë fillestare të hetimeve, nuk i shërben vijimit të tyre dhe as besimit të opinionit publik mbi punën organeve të sistemit të drejtësisë.
Nga ana tjetër, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë vëren me shqetësim disa artikuj të publikuar në media, të cilat synojnë apo tentojnë të denigrojnë figurën e gjyqtarit të çështjes, duke ritheksuar zbatimin e ligjit me korrektësi dhe saktësi maksimale në çdo rast./ZËRI

Poll

MOS HUMB