
TIRANË- U mbajt këtë të martë në Gjykatën e Posaçme seanca e radhës ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, lidhur me çështjen e Gërdecit. Gjatë seancës së sotme prokurorët e SPAK, kërkuan marrjen në pyetje të Fatmir Mediut, në seancën e datës 21 Shkurt. SPAK i kërkoi gjykatës të gjendet shtetasja Anjola Agolli, sekretare e ish-ministrit të Drejtësisë Aldo Bumçi, me pretendimin se nga zyra e saj ka dalë dhe shkresa për djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha. Agolli nuk është gjetur megjithëse SPAK ka vënë më dispozicion një adresë të re të saj, dhe tashmë i është kërkuar policisë së Tiranës shoqërimi i saj.
Gjykata përsëriti thirrjen për të bashkëpandehurit e tjerë të Mediut, mes tyre Luan Hoxha, Dritan Minxolli dhe Mihal Delijorgji, të cilët nuk janë gjetur në adresat e deritanishme të çuara në gjykata.
Gjykata informoi se Ministria e Drejtësisë ka dërguar letër-porosinë në SHBA për të marrë në pyetje Patrick Henry dhe përfaqësuesit e kompanisë SAK.
Patric Henry ishte presidenti i "Southern Anmmunition Company", i cili lidhi kontratën me ministrinë e Mbrojtjes për çaktivizimin e municionit të kalibrit të rëndë, të predhave të artilerisë në Gërdec. Ai ishte bashkëpronar me 25% të aksioneve në kompaninë "Alba Demil" me Mihal Delijorgjin dhe në Shqipëri përfaqësohej nga Rrahman Selmanllari.
Prokurori i SPAK kërkoi në seancën e radhës se nëse do të jetë gati mund të pyetet edhe Mediu në cilësinë e të pandehurit.
Vetë Mediu në dalje të Gjykatës u shpreh se ka 16 vite që pret që të merret në pyetje nga Prokuroria, megjithatë tha se do të konsultohet me avokatët në lidhje me qëndrimin që do të mbajë në seancën e radhës. Mediu u shpreh i hapur në lidhje me mundësine e ballafaqimit me ish-shefin e shtabit Luan Hoxha, ndërkohë që marrja e tij në pyetje është kërkuar dhe nga SPAK.
“Unë kam pritur mbi 16 vite që të pyetem nga prokuroria, pasi të konsultohem me avokatët do të mbaj qëndrimet e mia. Njëri prej dëshmitarëve që Gjykata thotë që nuk e ka gjetur punon sot në kryeministri. Ballafaqimi me Luan Hoxhën është kërkuar nga Prokuroria, jo vetëm nga unë, ballafaqimi dhe e vërteta është gjëja më e mirë. Minsistri ka detyrën e vetë dhe shefi i shtabit ka detyrën e vetë, njëra është detyrë civile dhe tjetra është detyrë ushtarake, dhe bashkëveprojnë sipas ligjeve në fuqi”, u shpreh Mediu.
Ai ritheksoi kërkesën e tij për dëshmitarët që të mos heshtin dhe të tregojnë hapur pozicionet që kanë pasur në lidhje me detyrat që kanë ushtruar në kohën kur ka ndodhur shpërthimi në Gërdec.
Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim me zinxhirin komandues ushtarak. Ish-ministri u rikthye në Gjykatë nga denoncimi i një familjeje nga Gërdeci, fshati i tragjedisë së 15 marsit ku nga shpërthimi humbën jetë 26 persona e u plagosën 300 të tjerë. /ZËRI