Aktualitet

'GJKKO vendos çfarë kërkojmë ne'/ SPAK sqaron deklaratën e Dumanit: U nxorr nga konteksti

Pasditen e sotme, SPAK sqaroi deklaratën duke u shprehur se fjalia është nxjerrë nga konteksti.

k.m.
'GJKKO vendos çfarë kërkojmë ne'/ SPAK sqaron
Altin Dumani

TIRANË- Kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani ka shkaktuar reagim me një deklaratë që bëri në raportimin për vitin 2023 para Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Dumani foli për pafajësitë e marra nga personat që SPAK dërgon para Gjykatës së Posaçme. Në fjalën e tij, Dumani tha se GJKKO i miraton të gjitha kërkesat që bën SPAK, deklaratë e cila ka ngjallur reagime në rrjet.

MOMENTI ME VIDEO:


“Çdo rast pafajësie është ankimuar nga prokurorët dhe afërmendsh që gjykatat vendosin gjithmonë…çfarë kërkojmë ne. Qoftë edhe në lidhje me deklarimet fajtorë të subjekteve që dërgojmë ne për rigjykim,”- tha Dumani.

Pasditen e sotme, SPAK sqaroi deklaratën duke u shprehur se fjalia është nxjerrë nga konteksti. Në deklaratën zyrtare, SPAK thekson se fjali është nxjerrë nga konteksti prej mediave, duke shtuar se Prokuroria e Posaçme respekton çdo vendim të marrë nga GJKKO dhe në rast se ka qëndrim tjetër, ndjek rrugët ligjore për të kundërshtuar. 

Me shqetësim vëmë re se media ka nxjerrë nga konteksti një pjesë të fjalës së drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme gjatë raportimit vjetor ditën e sotme pranë KLP në lidhje me numrin e vendimve të fajësisë së dhënë nga GJKKO, duke devijuar tërësisht përgjigjen që Drejtuesi i SPAK dha për këtë aspekt ndaj pyetjes së anëtarit të KLP. Në respekt të publikut dhe shtetit ligjor sqarojmë se Prokuroria e Posaçme thekson se është një organ akuze, i cili për çdo veprim të saj procedurial dhe lëndor kontrollohet nga GJKKO sipas parashikimeve ligjore. Gjykatat e Posaçme marrin vendime vetëm në bazë të ligjit dhe fakteve të çështjeve. Prokuroria e Posaçme respekton maksimalisht vendimet e tyre dhe i apelon ato nëpërmjet instrumenteve që i jep ligji dhe kur prokurorët e posaçëm e konsiderojnë se kanë arsye ligjore për të ushtruar këtë kompetencë të tyre. Prokuroria e Posaçme i njeh dhe respekton me të njëjtin seriozitet qoftë vendimet e fajësisë, qoftë ato të pafajësisë të dhëna nga GJKKO dhe ajo Kushtetuese,"-sqaroi SPAK./ZËRI

Poll

MOS HUMB